Palestina paralajmëron Izraelin

24/01/2013 00:00

Palestina ka kërcënuar se do të padisë Izraelin në Gjykatën
Ndërkombëtare të Drejtësisë nëse ndërton koloni të tjera në lindje të
Jeruzalemit.

Duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ministri i Jashtëm palestinez Riad Malki tha se vendimi varet nga qeveria e re izraelite.

Palestinës iu mundësua anëtarësimi në GJND pasi OKB votoi nëntorin e vitit të kaluar për shndërrimin e statusit të saj në shtet vëzhgues.

Nga ana e tij, Izraeli ka njoftuar plane për të ndërtuar 1.500 shtëpi të tjera në lindje të Jeruzalemit. Projekti i kontestuar u konsiderua si një përgjigje e Izraelit ndaj vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Fjalimi i zotit Maliki ditën e mërkurë ishte i pari që një zyrtar palestinez mban në Këshillin e Sigurimit që nga marrja e statusit të vendit vëzhgues joanëtar.

Ministri palestinez foli për planet e Izraelit për të ndërtuar shtëpi në një zonë të njohur si E1, që shtrihet thellë në Bregun Perëndimor, raporton BBC.

“Dërgimi i banorëve izraelitë në këtë zonë do të thotë të kalosh vijën e kuqe dhe të detyrosh palestinezët të ankohen në GJND”, deklaroi kryediplomati palestinez.

Edhe më parë autoritetet palestineze kanë konsideruar dërgimin e kontestit me Izraelin në GJND si një mundësi, por kjo duket më tepër si një kërcënim direkt, raporton korrespondenti i BBC.

Top Channel