Nuk ka asnjë hendek mes të mundshmes dhe të pamundurës për Muhamed Junusin. Fituesi i çmimit Nobel për paqe e ka treguar këtë me jetën dhe punën e tij.
I lindur në Bangladesh, kriza e urisë në vitin 1974 e çoi pa ditur 32 vjet më vonë drejt Nobelit për Paqe për kontributin e tij për një botë pa varfëri. Junus zhvilloi ide të reja të cilat do ta ndihmonin vendin e tij të dilte nga kriza. Ai zbuloi se huatë me interesa të vogla mund të sillnin ndryshime të mëdha për një person të varfër.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Pasdite në Top Channel’, Muhamed Junus zbërthen në detaje idetë e tij mbi zhdukjen e varfërisë në Botë.
Mirë se vini në programin tonë.
Faleminderit që më ftuat.
Ju jeni bankier, dhe bankierët në përgjithësi janë të mbushur me para’. Jeni i pasur?
Jo, nuk jam. Bankier mbase s’është përshkrimi i duhur për mua sepse dikur kam qenë mësues që nisi t’u japë hua të vogla grave të varfra në një fshat të Bangladeshit, në mënyrë që t’i mbroja nga fajdexhinjtë. Funksionoi, edhe pse e nisa duke dhënë para’ nga xhepi im.
72 dollarë.
Po, 72 dollarë në fillim, e më pas ngritëm një bankë që e quajtëm “Banka e Fshatit”, e cila bënte të njëjtën gjë. Më pas, u zgjerua me 8.5 milionë huamarrës. 97% e tyre ishin gra shumë të varfra, të cilat i merrnin paratë për t’i përdorur në forma që do tu jepnin të ardhura. Është tjetër lloj banke. Ndonjëherë përshkruhem si bankieri i të varfërve. Ky do të ishte përshkrimi i duhur. Por, nëse më quani bankier për të varfrit, të tjerët duhet t’i quani bankierë për të pasurit sepse atë bëjnë. U japin para’ borxh njerëzve që kanë para’. Ne u japim para’ njerëzve që s’kanë fare. Ky është dallimi dhe në punën tonë ne nuk marrim kolateral. Nuk presim asgjë nga personi, as prona, as ndonjë gjë tjetër në këmbim të huasë. Nuk presim asgjë. Është hua e dhënë me mirëbesim. Japim para’ me besim dhe kërkojmë të na i kthejnë. Ideja është përhapur në të gjithë botën. Çdo vend në botë e ka këtë program tani, të quajtur mikrokredi, kredi të vogla për të varfërit. Është në të gjithë Europën, Amerikën e Veriut, në Afrikë, Azi, Amerikën Latine e kudo. Kjo është ajo që kemi zhvilluar.
Kjo na sjell në nocionin e pasurisë. Çfarë është pasuria? Çfarë është pasuria personale dhe kombëtare për Muhamet Junus?
Pasuria është diçka fizike që ke arritur, një ekonomist do ta bënte këtë. Por për mua, pasuria e vërtetë është një potencial i fshehur tek qeniet njerëzore: forca krijuese. Për mua, kjo është pasuria e vërtetë. Si ta vësh në zbatim? Kjo është sfida. Është si të kesh një minierë ari brenda vetes, por nëse nuk di si ta vësh në zbatim, nuk të bën punë. Ti di vetëm që ke një minierë ari brenda vetes, por ta nxjerrësh është pasuri. Pra, e kemi pasurinë tek kushdo. Kemi një potencial të pafund brenda çdo qenieje njerëzore, qoftë i pasur apo i varfër, qoftë me banim në një mal apo në qytet. S’ka rëndësi. Çdo qenie njerëzore është i mbushur me kapacitet të pafund. Por ne nuk e eksplorojmë atë, nuk e lëmë të dalë. Premtojmë gjithnjë “do të kujdesemi ne për ty, mos u shqetëso, shteti do të të ndihmojë e do të të japë para’ që të kujdeset për ty. Nëse je pa punë, do të të japim para’ që të mbahesh. Këto janë zgjidhje të përkohshme. Zgjidhja e vërtetë është të nxjerrësh potencialin që ka dikush, fuqinë krijuese. Për këtë është fuqia krijuese tek qeniet njerëzore. Këtë përpiqemi të çlirojmë ne.
Ju përpiqeni ta çlironi këtë anë dhe keni krijuar emërtimin e konceptit të “biznesit shoqëror”. Duket se biznesi shoqëror ju ka sjellë dhe në Shqipëri. Si do të kontribuojë biznesi shoqëror në zhvillimin ekonomik të këtij vendi?
Në teoritë ekonomike na është thënë që ka vetëm një lloj biznesi. Biznesi për të bërë para’. E gjithë bota beson në këtë teori dhe gjatë këtij procesi bëhen gjahtarë parash. Kemi krijuar një botë të përqendruar ndaj parasë. Paraja është maja, prandaj e ndjekim gjithnjë. Gjatë këtij procesi bëhemi si robotë. Siç ju thashë, çdo qenie njerëzore është një thesar. Çdo qenie njerëzore është e mbushur me kapacitet të pafund. Por, teoritë ekonomike nuk thonë këtë. Teoritë ekonomike thonë se paratë janë gjithçka, ndaj ti e ndjek paranë për veten.
Pra, ju keni ndryshuar mënyrën se si shikohet.
Unë e kam ndryshuar këtë. Unë them se jemi qenie njerëzore, më të mëdhenj se robotët. Mund t’i ndryshojmë gjërat vetë. Teksa bëjmë biznes për të bërë para’, mund të bëjmë biznes për të zgjidhur probleme. S’jemi në biznes për të bërë para’, por për të zgjidhur probleme. Biznesi është një mjet shumë i fuqishëm, por ti e përdor atë për përfitime personale. Por ky mjet mund të përdoret për përfitime kolektive, duke zgjidhur probleme. Kjo është kategoria që quaj biznes social. Është një kompani jo dividente për të zgjidhur problemet njerëzore. Ne i krijuam këto kompani në Bangladesh e shumë vende të tjera nëpër botë kanë shfaqur tashmë interes, si Gjermania, Japonia, Britania, Haiti, Brazili, Meksika, India, Kina. Të gjithë kanë interes në biznesin social.
Cilat vende të zhvilluara?
Vende të pasura, të varfra. Kudo. Gjermania është një prej vendeve kryesore që e kanë përshtatur idenë e biznesit social dhe që organizojnë çdo vit forume për biznesin social, në mënyrë që diskutohet se çfarë mund të bëhet. Një qytet në Gjermani, Uisbaden, i cili ndodhet pranë Frankfurtit. Kryebashkiaku e ka shpallur qytetin si qytet me biznes social. Do të thotë që të gjitha bizneset në Uisbaden do të kenë një biznes paralel social për të zgjidhur problemet e qytetit. Pra, sa vjen e pranohet gradualisht. Është diçka që zgjidh probleme dhe ne jemi ftuar në Shqipëri që të japim një ide se si bëhet. Ne nuk ngremë biznese tonat këtu, por është për bizneset shqiptare, për të zgjidhur problemet shqiptare. Ne vetëm tregojmë se çfarë kemi bërë, se si mund të përkthehet kjo ide këtu.
Pra, ka vullnet politik për ta vënë në zbatim këtë?
Ka shumë. Prandaj erdhëm.
Edhe interes akademik?
Edhe interes akademik. Më ka ftuar kryeministri shqiptar. U takuam në Nju Jork, para tri vjetësh e gjysmë dhe atëherë gjithçka ishte ende në fillim. Sot kemi rreth katër biznese sociale gati për tu vënë në punë. Secili prej tyre është emocionues. Ka dhe 35 biznese të tjera sociale që presin për ndërtimin e gazsjellësit. Secili ka në plan të zgjidhë një problem specifik. Disa nga gjërat që po bëjmë tani, një është për kualifikim profesional, që të rinjtë të stërviten të bëhen elektricistë të mirë, të bëhen hidraulikë të mirë, mekanikë të mirë, etj. Është një biznes social, që të ftojmë gjithnjë e më shumë njerëz e t’i trajtojmë sa më mirë. Kjo mbush një boshllëk sepse të duhen shumë prej këtyre teknikëve për të drejtuar ekonomitë. Kemi një kompani marketingu për të shitur qilimat që prodhohen në veri dhe që s’marrin çmime të mira dhe pse gratë atje punojnë shumë, por jo aq sa për të marrë çmime të mira sepse paratë e vërteta i bëjnë ndërmjetësit që i shesin këto objekte në tregjet e mëdha. Ne krijojmë një biznes social ku qilimat do të merren nga gratë e do të shiten në tregjet e mira dhe paratë do tu jepen atyre. Ky është biznesi social.
Emri juaj shoqërohet shpesh me atë të De Sotos. E keni takuar?
Po, e kam takuar disa herë.
Teoritë tuaja janë kritikuar se kanë shumë pak ndikim në botën reale, edhe pse janë shumë lart nga ana intelektuale. E quani teorinë tuaj një utopi?
Utopia është diçka që e krijon në mendje. Nuk shihet në botën reale. Gjithçka që kam bërë unë, ka qenë konkrete. Unë i bëj gjërat më parë, pastaj flas për to. Do të ishte shumë e vështirë që të thoshte dikush se po krijoj utopi. Utopia nuk ekziston, është një ide imagjinare. Utopia është shumë e rëndësishme, por nuk ekziston sot. Mund të jetë e vërtetë në një të nesërme. Në botën time, kur realizova mikrokredinë, unë e nisa me një fshat të vetëm dhe u përhap ngadalë në të gjithë botën. S’mund ta quash mikrokredinë utopi sepse funksionon gjithandej. Tani po merrem me biznes social. Kam bërë biznes social në Bangladesh, duke krijuar më shumë se 60 kompani që janë në funksionim dhe tani kjo ide po zbatohet në shumë vende të tjera, si programe konkrete. Siç ju thashë më parë, është në Gjermani, Kinë, Japoni, Britaninë e Madhe, Francë e vende të tjera.
Por ka dy probleme, një në Indi dhe një në Meksikë. Ka të bëjë me komercializimin e mikrokredisë. Si do të përgjigjeshit?
E kam kritikuar shumë në Indi e në Meksikë sepse e kthyen mikrokredinë në fajde. Ne e krijuam mikrokredinë për t’i luftuar fajdexhinjtë. Ashtu nisi. Jemi përpjekur gjithnjë të ndihmojmë të varfërit me mikrokredinë. S’kemi qëllim të fitojmë para nga të varfërit. Disa njerëz e kanë transformuar këtë, kanë abuzuar dhe kanë përdorur idenë e mikrokredisë për të fituar nëpërmjet të varfërve. Kjo është shumë gabim dhe kjo ndodhi me Komportamos.
Si do ta korrigjonit këtë?
Do t’i vinim njerëzit në dijeni që ajo është gabim dhe një gjë që u kemi thënë shpesh atyre që e përdorin këtë ide për të krijuar para’, është të mos e quajnë veten “mikrokredi”. Sepse fjala mikrokredi ka një respekt shumë të madh, për arsyen sepse ndihmon të varfrit. Por ju po e përdorni për të fituar para’ për veten tuaj. Kjo është gabim. Kjo ndodhi në Indi, në Andra Pradesh, SKS, të cilën ne e kemi kritikuar shumë. Më në fund, Bikromakula, i cili po e bënte këtë, e pranoi që unë kisha të drejtë dhe që ai e kishte gabim. Kështu njerëzit nisin të kuptojnë ndryshimin.
Çmimi Nobel ju ka dhënë një lloj komforti, por s’i pengoi kundërshtarët tuaj në politikat lokale që t’ju bezdisnin. Si e përballuat këtë? Si e mbrojtët veten?
Ndonjëherë ndodh. Nuk është diçka e re, por është shumë e zakontë. Ka probleme politike e gjëra të tilla. Vazhdon të bësh atë në çfarë je përqendruar dhe kjo është e rëndësishmja. Të japësh rezultate për njerëzit. Gjëja më e rëndësishme është të qëndrosh në rrugën tënde e të garantosh që ideja do të ndihmojë njerëz.
Keni thënë: “Pasi varfëria të ketë marrë fund, duhet të ndërtojmë muze që tmerret e saj tu shfaqen brezave të ardhshëm, që ata të pyesin veten se pse varfëria ka ekzistuar për aq shumë kohë në shoqërinë njerëzore dhe se si pak njerëz jetonin në luks ndërsa miliarda të tjerë jetonin në mjerim, mungesë gjërash bazë e dëshpërim.” Kur do të dalim nga kjo situatë?
Shpresoj të ndodhë shumë shpejt. Në Bangladesh thuhet se rreth vitit 2030 duhet të arrijmë një fazë kur asnjeri s’do të jetë i varfër në Bangladesh. Do të ishte një vend pa varfëri. Kjo është e mundur dhe në vitin 2030. Dhe nëse mendoni se s’do të bëhet në vitin 2030, mund të bëhet në vitin 2031. Por duhet ta kemi atë plan. Në vitin 2015 do ta përgjysmojmë varfërinë. Nëse mund ta ulim deri në vitin 2015, logjika është ta vazhdojmë procesin e ta çojmë në zero në vitin 2030. Kjo është e mundur dhe kam besim se do të ndodhë sepse bota po ndryshon shpejt. Teknologjia po i ndihmon njerëzit të ndryshojnë jetën. Mund ta përdorim teknologjinë të sjellë kujdes shëndetësor, të sjellë arsim për gjithë të rinjtë, për të tregtuar produktet, për të komunikuar me gjithë të tjerët. Kështu mund të vihet në veprim energjia e çliruar.
Top Channel