Mali, trupat akuzohen për vrasje në masë

24/01/2013 00:00

Ushtria e Malit ka kryer një seri ekzekutimesh masive teksa lufton për të marrë nën kontroll veriun e kontrolluar nga militantët islamikë.

Denoncimi ka ardhur nga Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilës shumë njerëz janë vrarë vetëm sepse nuk kishin dokumente identifikimi.

Një ushtar i ushtrisë lokale i ka mohuar të gjitha akuzat, ndërkohë që OKB thotë se 7.100 civilë janë larguar në vendet fqinje që nga nisja e luftimeve më 10 janar.

Raportet sugjerojnë se ushtria e Malit, e përbërë kryesisht nga ushtarë me ngjyrë, ka vënë në shënjestër banorët arabë dhe ata me etni tuareg.

Sipas raporteve, në këtë mënyrë ka dalë në pah aspekti racor i luftës, që është mbuluar nga prania e trupave perëndimore që luftojnë kundër militantëve islamikë.

Franca ndërhyri ushtarakisht më 11 janar për të frenuar avancimin e militantëve, të cilët janë të lidhur me Al Kaedën dhe kërcënuan se do ta kthenin Malin në një shtet terrorist.

Aviacioni francez ka bombarduar vendndodhjet e rebelëve dhe ka vendosur rreth 2 mijë trupa tokësore për të ndihmuar ushtrinë e dobët maliane për të rimarrë territorin.

Federata tha se nevojitet të zhvillohet një hetim i pavarur për abuzimet e dyshuara të ushtarëve malianë dhe se përgjegjësit duhen ndëshkuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA