Japoni, defiçiti tregtar nivel rekord

24/01/2013 00:00

Japonia ka arritur një nivel rekord të defiçitit tregtar për vitin 2012,
me eksportet drejt Evropës dhe Kinës që kanë njohur rënie.

Boshllëku tregtar u rrit në 6.9 trilionë jen, ose 78 miliardë dollarë, për të gjithë vitin, ka bërë të ditur Ministria e Financave në Tokio.

Shifrat vijnë pas premtimeve të bëra në zgjedhje nga kryeministri Shinzo Abe për të nxitur ekonominë dhe pas stimujve të fundit monetarë të bankës qendrore.

Megjithatë, analistët deklarojnë se defiçiti mund të reduktohet pasi eksportet do të fillojnë të përmirësohen në muajt e ardhshëm.

“Teksa eksportet do të rriten me rritjen graduale të ekonomisë globale, defiçiti tregtar i Japonisë ka gjasa të tkurret në muajt e ardhshëm”, ka deklaruar Tatsushi Shikano, nga kompania “Mitsubishi UFJ Morgan”.

Megjithatë, ka pak gjasa që të arrihet një nivel pozitiv këtë vit pasi rritja e eksporteve do të jetë modeste dhe niveli i importeve do të mbetet i lartë për shkak të kostos së lartë të importit të naftës.

Eksportet japoneze kanë pësuar një rënie për të shtatin muaj rresht, me dërgesat që ranë me 5.8 për qind në dhjetor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Një nga arsyet është përforcimi i jenit, që i bën produktet përtej detit më të shtrenjta.

Eksportuesit japonezë janë prekur gjithashtu nga kërkesa e dobët e tregut evropian, si dhe nga përplasja territoriale me Kinën, që ka sjellë në një bojkot total të produkteve japoneze, siç janë makinat.

Top Channel