
Yair Lapid ka theksuar se nuk do të bashkohet me asnjë “bllok” partish, të cilat synojnë të pengojnë kryeministrin Benjamin Netanyahu për formimin e një koalicioni qeverisës.
“Rezultati i zgjedhjeve është i qartë: ne duhet të bashkëpunojmë”, tha ai.
Partia e sapoformuar e zotit Lapid, Yesh Atid, befasoi vëzhguesit me marrjen e 19 vendeve në parlamentin e ri, duke u renditur si forcë e dytë pas zgjedhjeve të së martës.
Aleanca “Likud-Beitenu” e Netanyahu-t humbi pothuajse çerekun e vendeve në “Knesset”, por mbetet ende si grupi më i madh, me 31 vende të siguruara.
Bisedimet për koalicion kanë nisur në Izrael, teksa rezultatet e zgjedhjeve, që po i afrohen zyrtarizimit, i dhanë partive të krahut të djathtë dhe atyre të qendrës së majtë nga 60 vende, respektivisht, në parlamentin e ri.
Netanyahu u tha reporterëve të mërkurën se do të synojë të formojë një “koalicion sa më të gjerë të mundshëm”. “Populli izraelit më ka kërkuar mua të vazhdoj të udhëheq vendin”, tha ai.
Kryeministri është ofruar të bashkëpunojë me partinë e sapoformuar Yesh Atid, një parti laike e qendrës, e krijuar nga Lapid vitin e kaluar. “Kam dëgjuar të flitet në lidhje me formimin e një grupi bllokues. Dua të përjashtoj kategorikisht këtë opsion”, tha Lapid, në një deklaratë mbrëmjen e së mërkurës.
Lapid bëri të ditur, më herët, se do të bashkohej me qeverinë, vetëm nëse kjo e fundit do të rigjallëronte procesin e paqes me palestinezët.
Top Channel