Europa paralajmëron: Kujdes në Libi!

24/01/2013 00:00

Britania, Gjermania dhe Holanda u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të lënë urgjentisht qytetin lindor të Libisë, Bengazi.

Këto vende njoftojnë se situata në këtë pjesë të Libisë përbën kërcënim për sigurinë e tyre dhe risku që ata të jenë viktima të ndonjë sulmi të ekstremistëve islamikë është i madh. E para që lëshoi një alarm të tillë ishte Britania.

Në njoftimin për gjithë shtetasit e saj, Londra kërkoi largimin e menjëhershëm nga Bengazi të gjithë britanikëve, ndërsa nuk këshilloi edhe udhëtimin në shumë zona të tjera të Libisë për shkak të sigurisë së tyre.

Vendet perëndimore i tremben mundësisë së një sulmi të ngjashëm si ai i In Amenas në Algjeri ku të paktën 37 të huaj gjetën vdekjen. Libia shihet si zonë e lirë veprime për shumë organizata terroriste të lidhura ose jo me Al Kaedan të cilat kanë paralajmëruar se do të godasin interesat dhe shtetasti perëndimorë në gjithë Afrikën pas ndërhyrjes ushtarake të Francës në Mali.

Parisi vendosi të ndërhyjë ushtarakisht në vendin e Afrikës Perëndimore për të ndalur avancimin e rebelëve ekstremistë islamikë drejt kryeqytetit të vendit. Përfshirja e Francës tërhoqi me vete edhe vende të tjera europiane dhe Shtetet e Bashkuara që kanë ofruar ndihmë logjistike, ndërsa vendet e rajonit po kontribuojnë me trupa në terren.

Top Channel