“Commerzbank” shkurton 6 mijë vende

24/01/2013 00:00

Banka e dytë më e madhe e Gjermanisë, “Commerzbank”, po planifikon të
shkurtojë rreth 6 mijë vende pune, ose mbi 10 për qind të krahut të
punës.

Vetë institucioni deklaroi se ka në plan të shkarkojë nga 4 mijë deri në 6 mijë punonjës me kohë të plotë brenda vitit 2016, nga 56 mijë punonjës që ka në tërësi, 49 mijë prej të cilëve me kohë të plotë.

Në qershor banka u zhvlerësua nga “Moody’s” dhe për rrjedhojë instituti hyri në listën e parashikimeve negative, që do të thotë se agjencia e kreditimit parashikon shkurtime të tjera.

“Moody’s” deklaroi se zhvlerësimi kishte ardhur si pasojë e ekspozimit të bankës në periferinë e eurozonës, si dhe nga përqendrimi i huave për sektorë dhe huamarrës të caktuar.

 Aksionet e bankës kanë rënë me 1.9 për qind. Disa ekspertë janë skeptikë nëse kjo valë shkurtimesh do të ndihmojë institucioni të dalë nga vështirësitë.

“Shkurtimet nuk janë shumë ambicioze. Prisja që ato të bëheshin përpara vitit 2016. Deri atëherë është kohë e gjatë”, ka thënë analisti Guido Hoymann, nga Metzler Securities.

Top Channel