Të rënët në krye të detyrës

23/01/2013 18:20

Beteja e policisë shqiptare me krimin është shtruar me gjakun e plot 190 të rënëve në krye të detyrës. Të gjithë kanë humbur jetën në emër të sigurisë publike duke u shpallur “Dëshmorë të Atdheut”.

Përllogaritja e numrit të të rënëve daton që nga viti 1945, ndërsa vihet re se periudha ‘45-’90 shënon numrin më të vogël të të vrarëve në krahasim me periudhën 1990-2013.

Allaman Dervishi ishte një punonjës policie, i cili mbrëmjen e 24 majit 2004, në orën 2 pas mesnate, kishte dalë për patrullim së bashku me kolegun në Kthesën e Kamzës. Dy efektivët atë mbrëmje do të ndeshenin me grabitësit e një makine që vinte nga Durrësi. Të gjendur përpara postobllokut, të rinjtë hapën zjarr ndaj policisë duke lënë të vdekur Allamanin dhe plagosur rëndë efektivin tjetër.
 
Bilbil Dervishi, vëllai i viktimës, shprehet: “Vëllai im bën 8 vite e gjysmë që ka rënë në krye të detyrës. Jemi krenarë për respektin që i është bërë atij nga strukturat shtetëore. Ai do të jetë një burim frymëzimi për të gjithë familjen tonë.”
 
Edhe pse kanë kaluar 9 vjet nga ajo ditë, për familjarët kujtimi i “Dëshmorit të Atdheut” Allaman Dervishi nuk do të shuhet kurrë. Në çdo cep të shtëpisë mund të gjesh fotografi të efektivit, pa përmendur albumet e mbushura me “copëza jete”: “Ka qenë një ditë shumë e trishtë. Atë ditë isha për drekë tek ai. Më tha që ishte turn i tretë dhe në mes të natës mora njoftimin. Gjetëm forca si familje ta kalonim këtë moment.”
 
Shumë krenar për babanë ndihet djali i tij 11-vjeçar, i cili sot është në klasë të gjashtë. Ai nuk nguron të tregojë hobet dhe pasionet që ka për të ardhmen, teksa nuk e fsheh faktin që profesioni i policit nuk i pëlqen: “Ajo ditë ka qenë shumë e trishtë për mua dhe mamanë. Disa ditë mamaja nuk fliste fare, por pastaj filloi të më fliste shumë për babin.
Mua më pëlqen arkitektura dhe baleti.”
 
Në listat e efektivave të policisë që kanë rënë futen jo vetëm punonjës të thjeshtë policie, por edhe shefa e drejtues të lartë. Periudha më e keqe për Policinë e Shtetit ka qenë viti 1997, kur kanë humbur jetën një numër jo i vogël uniformash blu. Goditje për uniformën kanë qenë gjithashtu vrasja e Arben Zylyftarit në gusht të vitit 2000 apo Gjon Pacukut në qershor të po këtij viti, pa harruar 3 vjet më vonë vrasjen e komisar Gani Malushit.

Dëshmori i fundit i Atdheut duket se do të jetë komisar Musa Skura, i cili u plagos rëndë mbrëmjen e 13 janarit gjatë një aksioni për arrestimin e anëtarëve të një bande kriminale. Ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra duke humbur jetën në një spital italian ku ishte dërguar për kurim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA