Për të parë se si jeton familja e një polici të vrarë në krye të detyrës, kreu i opozitës Edi Rama udhëtoi drejt Rrashbullit në Durrës. Ai takoi familjarët e dëshmorit të atdheut Bashkim Gjoni, i cili u vra në moshën 27-vjeçare.
Nëna e të ndjerit, Havaja, tregon se kur kërkoi mbështetje financiare zyrtarët e shtetit filluan ta pyesin se a kishte pension tjetër, pasuri apo shtëpi.
Ajo i tha liderit të opozitës se jeton vetëm me pensionin prej 12 mijë lekësh, që përfiton nga puna e saj dhe një pagesë prej 5 mijë lekësh që merr nga statusi si Dëshmor i Atdheut i të birit.
Ndërsa vëllai i tij, Ruzhdiu, tregoi për kalvarin që ka kaluar pas vdekjes së Bashkimit, në përpjekje për të siguruar një mbështetje për nënën. Për kreun e PS-së, goditja ndaj uniformave blu, deri në vrasjen e tyre, është rikthyer frikshëm në vend.
“Ne jemi shumë të vendosur që ta rishikojmë pensionin për familjet e të gjithë punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, jemi shumë të vendosur që me patjetër të trajtojmë dhe të zgjidhim edhe çështjen e një sigurimi për jetën të çdo njeriu që angazhohet në shërbim të shtetit me uniformën e policisë, nga polici më i thjeshtë e deri te drejtuesit më të lartë, të gjithë zinxhirit të profesionistëve të policisë dhe jemi shumë të vendosur që t’i japim autoritetin dhe dinjitetin maksimal policit”, deklaroi Rama.
Sipas tij, një shoqëri që s’ka autoritetin dhe dinjitetin e mësuesit, mjekut dhe policit është në mëshirën e fatit. “Është e patolerueshme që familje të tëra policësh dhe drejtuesish policie të vrarë, të jenë sot pa asnjë mbështetje dhe pa asnjë shprehje respekti për ata që e dhanë jetën për të nderuar detyrën më fisnike, që është mbrojtja e rendit për çdo qytetar dhe për çdo komunitet. E papranueshme”, theksoi Rama.
Sipas kreut të PS, Shqipëria sot është në kushtet kur realisht krimi ka marrë një epërsi shumë të madhe, sepse policia është tradhtuar dhe është braktisur.
Top Channel