Të bindur se Kodi Zgjedhor detyron KQZ dhe vetëm KQZ të bëjë ndarjen e mandateve të deputetëve për çdo qark, anëtarët e opozitës në këtë institucion kanë kërkuar thirrjen e mbledhjes me këtë objekt.

Përmes një kërkese të depozituar në institucionin më të lartë zgjedhor, që mban orën e protokolluar 15 të datës 23 janar, tre anëtarët e opozitës në të, Denar Biba, Albana Shtylla dhe Jani Jani, në bazë të nenit të Kodit Zgjedhor që u jep të drejtën të thërrasin mbledhjen e KQZ-së, kërkojnë që ky institucion ta thërrasë atë në datën 28 janar për të bërë ndarjen e mandateve.

Në relacionin bashkangjitur anëtarët e opozitës në KQZ sqarojnë qëndrimin përballë dy shkresave të Ministrisë së Brendshme për numrin e popullsisë, mbi bazën e të cilit bëhet ndarja e deputetëve për çdo qark.

Shtyrja e vendimmarrjes u bë sipas tyre pikërisht për të sqaruar mospërputhjen e dukshme të popullsisë në dy shkresat e Ministrisë së Brendshme, njëra e majit të 2012 dhe tjetra e tetorit të këtij viti, ku lëvizjet demografike drejt katër komunave të qarkut të Kukësit, përkundër trendit të rritjes së popullsisë në vend hidhnin haptas dyshime për rritje fiktive të popullsisë në këtë qark.

Duke besuar se integriteti i zgjedhjeve është më i rëndësishmi dhe duke i mëshuar nenit të Kodit Zgjedhor që i le afat KQZ-së deri në datën 7 mars për të bërë ndarjen e numrit të deputetëve për qark, anëtarët e opozitës thonë në relacion se KQZ nuk e ka ezauruar mundesinë ligjore për të kryer këtë detyrim.

Ata risjellin në vëmendje mbledhjen e institucionit më të lartë zgjedhor ku u shqyrtua kjo çështje dhe që nuk arriti të marrë 5 votat e nevojshme për t’u cilësuar e miratuar. Për këtë arsye vendimi i KQZ-së ishte: “Të mos caktojë numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, për zgjedhjet për Kuvendin 2013”.

Por në asnjë nen të Kodit Zgjedhor nuk parashikohet si kompetencë e KQZ-së “moscaktimi i numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës”.

Për këtë arsye anëtarët e opozitës thonë se ky vendim ka qenë në shkelje flagrante të ligjit, pasi kjo formë vendimmarrjeje në lidhje me këtë rast është jashtë kompetencave të KQZ për t’u marrë. Si rrjedhojë e këtij arsyetimi, vendimi është juridikisht nul dhe i paqenë, pasi në respekt të ligjit nuk ka ardhur asnjë pasojë, thonë ata.

Duke i shtuar këtij arsyetimi, se tashmë KQZ ka emëruar audituesit teknicienë që do të bëjnë verifikimin e të dhënave në regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile, anëtarët e opozitës në këtë institucion propozojnë ndarjen e mandateve të deputetëve për çdo qark, sipas të dhënave të popullsisë vënë në dispozicion nga Ministria e Brendshme.

Me këto të dhëna, Kukësit i mbeten katër deputetë dhe Berati zbret në shtatë të tillë. Korçës i hiqet gjithashtu një mandat dhe i shtohet Tiranës dhe Durrësit nga një deputet.

Kjo është ndarja e reflektuar në bazë të levizjeve të popullsisë, që KQZ ka detyrimin sipas Kodit Zgjedhor të bëjë për zgjedhjet e 23 qershorit, për të garantuar zbatimin e ligjit zgjedhor, por së pari nenin kushtetues të barazisë së votës, që çdo deputet të zgjidhet nga një numër pothuaj i barabartë votuesish.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA