
Ministri i ri i Financave në Japoni është vendosur në qendër të një skandali kombëtar, pasi i kërkoi të moshuarve që “të vdesin sa më shpejt”, për të ndihmuar vendin që të rregullojë bilancet e tij financiare.
Taro Aso dha këtë deklaratë skandaloze gjatë një diskutimi për mënyrat e përballimit të krizës demografike të Japonisë, me popullsinë që vazhdon të reduktohet ndërsa jetëgjatësia rritet.
Gjithashtu, Aso kritikoi shërbimin shëndetësor të vendit, që sipas tij mban në jetë shumë të moshuar, që pa ndihmën artificiale do të ndërronin jetë.
”Askush nuk duhet të mbajë gjallë me forcë dikë që dëshiron të vdesë”, deklaroi Aso. “Të moshuarit duhet të nxitojnë të vdesin. Unë do të ndihesha shumë keq nëse do të isha në një moshë të caktuar dhe do të dija që po më mbajnë në jetë vetëm falë parave që jep shteti. Ky problem do të ishte i zgjidhur nëse të moshuarit që nuk janë më në gjendje të jetojnë pa ndihmë të lejohen të vdesin”.
Deklarata e Taros, jo vetëm që ka ngjallur një revoltë kombëtare, por bie thellësisht ndesh me kulturën japoneze të nderimit të thellë ndaj të moshuarve.
Disa orë pas kësaj deklarate, përballë thirrjeve për dorëheqje, 72-vjeçari Taro kërkoi ndjesë, duke u përpjekur që të shpjegohej më mirë. “Unë thashë atë që mendoj personalisht, jo atë që mendoj se duhet të jetë sistemi ynë shëndetësor. Megjithatë, besoj se është e rëndësishme që kushdo të kalojë ditët e fundit të jetës në paqe dhe më duket e pakuptimtë që shumë persona, praktikisht të vdekur, të mbahen në jetë artificialisht, duke rënduar shtetin me një kosto financiare gjithmonë e më të papërballueshme”.
Deklarata e ministrit pasoi rezultatet e fundit të censusit, që treguan rënien më të madhe të numrit të popullsisë në dekada. Aktualisht, mbi 20% e popullsisë prej 128 milionë banorësh të Japonisë, vendi i dytë me jetëgjatësinë më të lartë në botë, ka kaluar moshën 65-vjeçare.
Në 50 vitet e ardhshme, pritet që numri i popullsisë mbi 65-vjeç të barazohet me atë nën këtë moshë, ndërsa jetëgjatësia vazhdon të rritet, përballë një krize demografike të shkaktuar nga lindshmëria tepër e ulët.
Top Channel