Izrael, Netanyahu: Qeveri gjithpërfshirëse

23/01/2013 09:40

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, premtoi formimin e një qeverie “gjithpërshirëse”, disa orë pasi koalicioni i tij siguroi një fitore të ngushtë në zgjedhjet e përgjithshme.

Zgjedhjet e datës 22 janar ishin të parakohshme, pasi dalja nga koalicioni i një aleati të mëparshëm shkaktoi rënien e qeverisë në tetor.

Pjesëmarrja e lartë në votime ndihmoi bllokun opozitar të qendrës së majtë, që siguroi një mbështetje më të larte nga ajo që pritej.

Blloku “Likud-Beitenu” i kryeministrit Netanyahu siguroi 31 vende në parlamentin me 120 anëtarë, nga 42 që kishte në legjislaturën e mëparshme.

Surpriza më e madhe ishte shndërrimi në forcë të dytë qeverisëse të bllokut qendror të “Yesh Atid” (Jemi e ardhmja), që zgjodhi 18-19 deputetë, ndjekur nga laburistët me 17 mandate.

Në këto kushte, analistët parashikojnë që Netanyahut t’i nevojiten disa javë negocime të vështira për të formuar qeverinë.

Aleanca e “Likud-Beitenu” me partitë e djathta dhe ato nacionaliste, me bllokun kundërshtar, kanë një nivel të barabartë pjesëmarrje në parlament, me 60 deputetë secili bllok, çka pritet të ndërlikojë edhe më shumë hartën politike në vendin me tetë milionë banorë.

Popullsia arabe e Izraelit, 1,5 milionë banorë ose rreth 20% e popullsisë, bojkotoi në masë zgjedhjet, duke regjistruar një rënie të ndjeshme të pjesëmarrjes nga ana e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA