FMN: Rimëkëmbja e ekonomisë po dobësohet

23/01/2013 16:50

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar sërish për dobësimin e ripërtëritjes së ekonomisë globale, pavarësisht përpjekjeve të qeverive për të stimuluar rritjen.

Ekonomia globale ka gjasa të rritet me ritme më të ngadalta se parashikimet në dy vitet e ardhshme, ka deklaruar organizata në raportin e fundit të saj.

Në dokumentin në fjalë thuhet se, pritet që eurozona të mbetet në reçesion gjatë vitit 2013, edhe pse më parë ishte parashikuar një rritje e ekonomisë së bllokut.

Edhe për Mbretërinë e Bashkuar janë reduktuar parashikimet, me FMN që ka vlerësuar se, problemet e vazhdueshme në zonën euro po ndikojnë në territorin britanik.

“Vendet e zonës së euros vazhdojnë të përbëjnë një rrezik të madh për rrënimin e ekonomisë globale”, thotë raporti i FMN-së.

“Në veçanti, rreziku i zgjatjes së stanjacionit do të bëhet edhe më i madh në momentin kur nuk do të kryhen reforma”, vijon më tej dokumenti.

Ekonomia e eurozonës parashikohet kështu të tkurret me 0.1 për qind gjatë këtij viti, vetëm tre muaj pasi FMN kishte parashikuar një rritje prej 0.2 për qind.

Në tërësi, ekonomia globale parashikohet të rritet me 3.5 për qind gjatë këtij viti dhe 4.1 për qind në 2014, 0.1 për qind më pak nga sa ishte parashikuar në tetor.

Pjesa më e madhe e rritjes pritet të vijë nga ekonomitë në zhvillim dhe jo nga vendet e zhvilluara që ende nuk kanë dalë mirë nga reçesioni.

Më herët gjatë muajit edhe Banka Botërore shkurtoi parashikimet për rritjen, duke fajësuar rekuperimin e ngadaltë të vendeve të zhvilluara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA