Fjalimi i David Cameron, Britania dhe BE-ja

23/01/2013 03:00

David Cameron pritet të zotohet për një referendum në lidhje me BE-në, nëse konservatorët fitojnë zgjedhjet e ardhshme.

Lideri i konservatorëve dëshiron të rinegociojë marrëdhënien e Britanisë së Madhe me Bashkimin Europian, përpara se të marrë mendimin e popullin të tij përmes votimit. Pasi të arrihet një marrëveshje e re, populli britanik mund të votojë nëse do ta pranojë atë, apo dëshiron të largohet nga BE-ja, pritet të thotë Cameron.

Ed Miliband, i laburistëve, tha se fjalimi tregon se kryeministri është “i dobët” dhe “i drejtuar nga partia e tij”, jo nga interesat kombëtare. Referendumi pritet të mbahet gjatë muajve të para të parlamentit të ardhshëm, nëse fitues të zgjedhjeve dalin konservatorët.

Fjalimi ishte parashikuar për të premten e kaluar në Holandë, por u shty për shkak të krizës së pengjeve në Algjeri. Lideri i konservatorëve ka qenë nën presion nga pjesa më e madhe e deputetëve të tij, për t’u zotuar detyrimisht për një referendum në lidhje me Europën.

Duke përcaktuar kushtet për referendumin e ardhshëm, Cameron pritet të shprehet: “Manifesti i radhës i konservatorëve në 2015 do të kërkojë një mandat nga populli britanik, për një qeveri konservatore, që do të negociojë një marrëveshje të re me partnerët tanë europianë, në parlamentin e ardhshëm”.

“Dhe… kur ne të kemi negociuar marrëveshjen e re, do t’u japim britanikëve mundësinë e të shprehurit përmes referendumit me një zgjedhje të thjeshtë: brenda ose jashtë BE-së në mandatin e ri, ose për daljen përgjithmonë. Do të jetë një referendum për po ose jo”.

Megjithatë, ai pritet të thotë se mbajtja e një referendumi të tillë, tashmë do të ishte “një zgjedhje false”, sepse Europa pritet të ndryshojë, pas krizës së eurozonës.

Fjalimi, që do të mbahet në qendër të Londrës, pritet të ndiqet me kureshtje nga liderët e tjerë europianë, komuniteti i biznesit dhe mbështetësit e kritikët e partisë së tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA