Sekretarja e Shtetit në ikje, Hilari Klinton, foli në Komisionin e Marrëdhënieve me jashtë në Senat, për sulmin në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, ku humbi jetën ambasadori Kristofer Stivens dhe tre amerikanë të tjerë.
Ajo mori mbi vete përgjegjësinë për “dështimet në çështjet e sigurisë”, siç u shpreh, të cilat çuan në këtë sulm.
“Siç e kam thënë shpeshherë, marr përgjegjësinë dhe askush nuk është më i angazhuar për ta bërë këtë sa më mirë. Jam e vendosur për ta lënë Departamentin e Shtetit dhe vendin tonë më të sigurt dhe më të fortë”.
Gjatë seancës dëgjimore të së mërkurës, senatori republikan i Uiskonsinit, Ronald Xhonson akuzoi administratën e Obamës se po keqdrejton publikun për sulmin në konsullatën amerikane, në Bengazi të Libisë.
“Ne u keqinformuam se kishte protesta dhe më pas na doli se u sulmua”, tha ai.
Klinton u përgjigj duke ngritur zërin: “Me gjithë respektin, fakt është që ne patëm katër amerikanë të vdekur. Ishte për shkak të protestës? Apo se disa djem dolën një natë dhe vendosën të vrisnin disa amerikanë?”.
Të mërkurën ajo tha se nuk pati kurrë një shkresë zyrtare që të kërkonte
rritjen e masave të sigurisë në konsullatën në Bengazi.
“Kërkesat specifike për sigurinë në Bengazi u trajtuan nga ekspertë të
sigurisë në Departamentin e Shtetit. Unë nuk i pash ato kërkesa, ato nuk
erdhën kurrë tek unë dhe unë as i aprovova dhe as i kundërshtova”, tha
zonja Klinton.
Duke goditur katër herë me grusht tryezën, ajo shtoi: “Çfarë dallimi bën kjo në këtë pikë? Është detyra jonë të zbulojmë çfarë ndodhi dhe të bëjmë gjithçka mundemi për të parandaluar, që kjo të mos përsëritet sërish senator”.
I dërguari i SHBA-së në Libi, Kristofer Stivens, dhe tre zyrtarë të tjerë humbën jetën në sulmet në Bengazi, më 11 shtator. Ambasadori humbi jetën, i mbytur nga tymi. Ai nuk mundi të dilte nga ndërtesa e konsullatës, që kishte marrë flakë pas sulmit të armatosur.
Sulmi shkaktoi një debat të ashpër politik në SHBA, ku u shtruan pyetje
nëse dikush kishte qenë në dijeni të sulmit dhe kur do të ndodhte ai.
Për rrjedhojë, një panel i pavarur u ngarkua me detyrën e hetimit të
incidentit.
Klinton do të lërë postin brenda dy javësh. Seanca dëgjimore në Senat u shty, pas problemeve shëndetësore në muajin dhjetor. Hilari Klinton konsiderohet si një kandidate e fortë për demokratët në zgjedhjet presidenciale të 2016-s. Në vend të saj, në krye të Departamentit amerikan të Shtetit u caktua senatori Xhon Kerri.
Gjatë raportimit të saj, zonja Klinton foli edhe për rritjen e pranisë së milicisë islamike në Afrikën Veriore dhe tha se, “ngjarja në Bengazi nuk ndodhi si pasojë e një vakumi”.
Paraqitja e shefes së diplomacisë amerikane vjen kur nuk ka kaluar as edhe një javë nga sulmi i militantëve islamikë ndaj një impianti gazi në Algjeri, ku tre shtetas amerikanë mbetën të vrarë.
“Mungesa e stabilitetit në Mali ka krijuar një parajsë të sigurtë për terroristët që synojnë të zgjerojnë influencën e tyre dhe të kryejnë sulme të tjera si ai i Algjerisë”, tha më tej zonja Klinton.
Top Channel