ERE i heq licensën CEZ-it

21/01/2013 00:00

Enti Rregullator i Energjisë vendosi të heqë liçencën për kompaninë e shpërndarjes CEZ, duke zyrtarizuar përfundimisht dështimin e privatizimit më strategjik në Shqipëri.

Kryetari, Sokol Ramadani tha se ndonëse u bënë përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje, CEZ nuk mori përsipër zbatimin e kontratës.

Pas këtij vendimi shpërndarja e energjisë rikthehet sërish në administrim shtetëror. Enti ka votuar kandidaturën e Sahit Dollapit për postin e njeriut që do të drejtojë kompaninë e shpërndarjes për llogari të shtetit.

Nën administrim shtetëror kompania nuk do ketë të drejtë të ndryshojë aksione apo të tjetërsojë prona dhe asete. Administratori do të menaxhojë rrjetin e shpërndarjes deri në momentin kur qeveria shqiptare të zgjidhë konfliktin me kompaninë çeke dhe të merret një vendim i dytë lidhur me sistemin e shpërndarjes.

Vendimi i Entit Rregullator vjen pas një sërë konfliktesh mes qeverisë dhe kompanisë çeke në lidhje me mospërmbushjen e kushteve të kontratës së privatizimit. Më kryesoret ishin mosimportimi i energjisë elektrike, ndërprerjet kolektive të energjisë dhe mungesa e bilanceve financiare.

Më pare Enti kishte paralajmëruar CEZ që t’u përmbahej kushteve ligjore, por kompania çeke akuzoi qeverinë se e kishte vënë përballë vështirësish të mëdha ekonomike si pasojë e gjobave dhe mospagesës së energjisë nga konsumatorët dhe ku një nga debitorët më të mëdhenj ishin vetë institucionet dhe entet shtetërore.

Kulmi i përplasjes erdhi në fund të vitit të kaluar kur CEZ i ndërpreu furnizmimin me energji të gjitha ndërmarrjeve të ujësjellësit që kishin detyrime të papaguara, duke lënë pa ujë më shumë se gjysmën e vendit, një veprim që u pasua menjëherë me nisjen e proçedurave për heqjen e liçencës.

CEZ: Arbitrazh ndërkombëtar

Pas vendimit për heqjen e liçencës ka reaguar kompania çeke CEZ, e cila e cilëson vendimin e Entit Rregullator të Energjisë në kundërshtim të plotë me ligjin.

Përmes një deklarate në faqen zyrtare të kompanisë mëmë në Çeki, CEZ kundërshton heqjen e liçensës së shpërndarjes së energjië si dhe deklaron se do të ndërmarrë të gjitha hapat për të dërguar çështjen në një arbitrazh ndërkombëtar.

CEZ kundërshton edhe vendimin për emërimin e administratorit shtetëror që do të menaxhojë kompaninë deri në momentin që qeveria shqiptare të zgjidhë konfliktin me CEZ dhe të merret një vendim i dytë lidhur me sistemin e shpërndarjes.

Në deklaratë, emërimin e administratorit CEZ e konsideron të papajtueshëm me çdo standard evropian por edhe me ligjet shqiptare.

Për sa më lart, kompania deklaron se do të ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet ligjore dhe do të njoftojë qeverinë shqiptare se do të nisë arbitrazhin ndërkombëtar.

Top Channel