“Berisha të ikë para zgjedhjeve”

20/01/2013 19:50

Aleanca Kuq e Zi mbajti, në qytetin e Beratit, një tubim, ku morën pjesë qindra mbështetës të saj. Kreshnik Spahiu i kërkoi beratasve të mobilizohen për “pranverën shqiptare” dhe për të larguar Sali Berishën nga pushteti, përpara zgjedhjeve të 23 Qershorit.

“Të rrëzojmë Berishën para zgjedhjeve të 23 Qershorit, sepse ai është më i rrezikshëm se sa diktatori i fundit Ramiz Alia. Ramiz Alia nuk kishte asnjë pronë, ndërsa diktatori Sali Berisha ka blerë, rrëmbyer e konfiskuar gjysmën e Shqipërisë, duke u bërë më i pasuri diktator pas Ramiz Alisë”, tha lideri i AK-së.
 
Spahiu shtoi se ka denoncuar bashkëpunimin e Berishës me Janullatosin dhe keqpërdorimin politik, që keta dy individë po i bëjnë Kishës Ortodokse.

“Koalicioni Berisha-Janullatos po përdor kishën, për qëllime politike dhe destabilizimin e paqes në rajon. Jo më larg se sa sot, shtetasi Sali Berisha ka organizuar anti-mitingun fetar, kundër Aleancës Kuq e Zi këtu në Berat. Anti-mitingu, një instrument i përdorur në përsosmëri nga Sali Berisha, gjatë karrierës së tij politike. Por, sot një ngjarje e paprecedentë ndodhi në këtë qytet. Anti-mitingu fetar kundër Aleancës Kuq e Zi është një rast i paprecedentë në historinë e politikës shqiptare, orkestruesi i të cilit është vetëm shtetasi Sali Berisha”.

Më pas, anëtarët e Aleancës Kuq e Zi, në mënyrë sinmbolike, inauguruan rrugën Berat-Skrapar, duke ironizuar premtimet elektorale për rehabilitimin e saj, ndërkohë që ajo vazhdon të jetë në një gjendje të mjerueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA