Mustafa Nano – Mund të ketë njerëz që stigmën “familje e korruptuar” në
adresë të familjes Berisha mund ta kenë marrë për një teprim të opozitës
apo të medias opozitare. Në fakt, ka kohë, të paktën qysh nga tragjedia
e Gërdecit, që asnjë mendje normale s’do të duhej të kish dyshim se
Berisha kish përfshirë në afera korruptive miliona dollarëshe fëmijët e
tij, por sidoqoftë, refreni i përditshëm opozitar që përmbante termin
“familje e korruptuar”, apo “korrupsioni i familjes”, të bëhej se ta
sillte dukurinë në mënyrë disi më të shumëfishuar.
Mirëpo ajo që ka dalë në dritë këto ditë nuk lë asnjë dyshim, se fëmijët ‘Berisha’, Shkëlzeni e Argita, në mënyrë të veçantë kjo e dyta (ndoshta si e përkëdhelura e babit, apo ndoshta për shkak të një prerje më intelektive se i vëllai) kanë pasur dhe kanë licencën për të bërë ç’ua ka ënda në këtë vend; dhe ta bëjnë pa pasur asnjë skrupull. Vini re historinë e dëshmuar nga një “viktimë”, nga biznesmeni pakistanez Zafar Ansar, në intervistën dhënë Muhamed Veliut të televizionit “Top Channel” (po e jap në mënyrë të përmbledhur):
“Ansari kish një projekt investimi në Shqipëri që kapte shifrën e 100 milionë eurove. U njoh fillimisht me ambasadorin tonë në Arabinë Saudite, Admir Banaj (edhe ky është një ambasador i familjes, si shumë ambasadorë të tjerë, si shumë zyrtarë të administratës, si krerët e institucioneve, si të gjithë “intelektualët” e peticioneve etj., etj.), dhe ish ky diplomat i yni që i dha kontaktin e parë dhe të fundit në Tiranë, kontaktin më të rëndësishëm, personin që të zgjidh punë sa hap e mbyll sytë. Cilin? Atë, magjistricën Argita Berisha. Kë tjetër? Biznesmeni, si çdo biznesmen në këtë botë, i gëzohet këtij fakti, pasi personi në fjalë do t’i hapte dyer që normalisht s’do të mund t’i hapte. Dhe fillojnë negociatat mes Ansarit dhe Argitës, ku bie në sy që kjo e fundit bën arsyetimet e një njeriu me përgjegjësi publike e institucionale, tamam siç ndodh me anëtarët e familjeve despotike e dinastike (“TEC-et na duhen, e prandaj ne inkurajojmë përpjekjet për të ngritur TEC-e”, thotë pakistanezi që t’i ketë thënë Argita). Por më shumë bie në sy babëzia e vajzës së Kryeministrit, e cila e fillon bisedën me peshkun që i ra në rrjetë, duke i sugjeruar të blinte një sipërfaqe të madhe toke. Më pas del se nuk ishte fjala thjesht për një sugjerim, por për një kushtëzim të tipit: Nëse s’merr këtë tokë, qaje investimin! Por biznesmeni nuk është i gatshëm të hedhë paratë në havá se këtë ia kërkon bytha e zgjuar e kryesekseres së Tiranës. Toka ishte e papërshtatshme, pa infrastrukturë, shumë e shtrenjtë (kryesekserja ka tentuar t’ia masë mirë kaptinën me pe), dhe nuk kish logjikë që ai të blinte tokën pa u miratuar projekti. Pikërisht në këtë pikë negociatat kanë ngecur, dhe menjëherë – ky është një përkim i çuditshëm – institucionet e shtetit shqiptar zunë të silleshin ndryshe me Ansarin e me projektin e tij. “Pas kësaj, KESH-i ma ndërpreu komunikimin që kisha”, thotë biznesmeni, i cili, pa ç’pa, u largua i dëshpëruar, pasi kish harxhuar nerva dhe kohë në Tiranë, ku vajza e Kryeministrit nuk ish mjaftuar me presionin lidhur me tokën, por edhe i kish kërkuar para të tjera (një partnere e firmës juridike të Argitës i ka kërkuar 1,5-3% të vlerës së investimit, d.m.th. 1,5-3 milionë euro të thata në dorë, menjëherë)”.
Kjo është historia. Nuk është historia e parë korruptive që ka për personazhe fëmijët e Kryeministrit, nuk është as më e qarta si aferë korruptive (Gërdeci ishte një korrupsion më evident; dhe tragjik, domosdo). Por është një histori ku del në pah një grykësi e paparë në këto troje. Është grykësia e një familjeje, e cila nuk ka asnjë skrupull jo vetëm në plaçkitjen e këtij, por edhe në reagimet që bën sa herë që në adresë të saj bëhen akuza.
Është interesant në këtë mes reagimi i vajzës së Kryeministrit. Ajo nuk e ka vonuar përgjigjen, por e ka dhënë në mënyrën e vet, si një njeri që “mban përgjegjësi publike e politike në këtë vend, e që është pjesë e dialektikës demokratike”. Dëshminë-akuzë e ka bërë një pakistanez, ndërsa Argita, në stilin e atij që e ka nxjerrë nga hundët, komunikon me Edi Ramën, të cilit i thotë:
“Çdo veprim i zyrës sime të avokatisë nuk ka pasur të bëjë me ndërtim pallati prej pesëkatësh në lulishten e sheshit të pallateve, me leje të firmosura nga ju në konflikt të hapur interesi për bashkëshorten tuaj… Zoti Rama… ti me këtë nuk mund të justifikosh burimin e fondit prej 1 milion eurosh të ndërtimit të pallatit nga një pensionist dhe një i vetëpunësuar i familjes së bashkëshortes suaj, Linda Basha… Z. Rama, ju nuk mbuloni dot … mos deklarimin e burimit të 100 milionë lekëve kredi pa interes të bashkëshortes suaj, ndërkohë që ligji i deklarimit të pasurive të detyron qartazi për këtë”!!!!!
Si pa dashje, Argita kujtohet të shkruajë dhe ndonjë rresht lidhur me thelbin e çështjes (po jap frazat e kursyera, dhe të përsëritura, që ajo thotë: “Çdo veprim i zyrës sime të avokatisë ka qenë tërësisht privat… Tarifat e përcaktuara dhe të njoftuara haptas klientëve në një vend të lirë janë akt i plotë transparence… Tarifat e zyrës sime të avokatisë, të deklaruara paraprakisht klientit në fjalë siç e kërkon praktika e punës”).
Të gjithë kanë pritur që ajo të na thotë se është apo nuk është e vërtetë që i ka sugjeruar blerjen e një toke, se është apo nuk është e vërtetë që ajo i ka kërkuar 1,5-3% të investimit. Por jo. Ajo, bija e babit, hidhet në degë të tjera, përfshin kot në këtë mesele Edi Ramën, Linda Ramën dhe një pallat të tyre që na doli pikërisht tani, kur akuzat në adresë të familjes nuk kanë të sosur. E kur qëllon që flet për çështjen, nuk thotë më shumë sesa “çdo veprim i zyrës sime është privat”. A thua se i ka thënë kush se zyra e saj është pjesë e administratës, apo është institucion!!!!
Kjo ngjarje, ashtu si ngjarje të tjera (Gërdeci, vrasjet në bulevard, korrupsioni kolosal në rrugën Durrës-Kukës, gjestet bamirëse të gruas së Kryeministrit, dhe lidhjet e shkurtra të kësaj me biznesmenë të vendit), duhet të bëjë që në axhendën e opozitës së sotme e të qeverisë së nesërme (nëse opozita do të vijë në pushtet) të futet dhe qëndrimi ndaj “familjes” më palavike në historinë e shqiptarëve. Ç’duhet bërë, kur ndëshkimi është një tagër i institucioneve tona të drejtësisë, të cilat kanë dhënë prova se veç drejtësi nuk japin në rrethana të tilla? Kjo është një pyetje e madhe, së cilës opozita e sotme duhet të dijë t’i japë përgjigje në mënyrë që edhe të mos komprometohet shteti ynë putativ i së drejtës, edhe ndaj familjes “Berisha” të bëhet ajo që është bërë ndaj familjeve të tilla në histori.
Do të jetë e pamundur të gjendet një zgjidhje e tillë? Nëse po, nëse kjo familje lihet e qetë në punët e veta (pas ndonjë kompromisi të natyrës politike), në Shqipëri do të komprometohet njëherë e mirë shpresa e ëndrra për drejtësi. Nëse nuk veprohet ndaj familjes, nuk mund të veprohet ndaj askujt tjetër për zullume që i ka kryer tok me familjen e në emër të familjes, gjë që do të thotë se pushteti e ndikimi real do t’u mbetet bandave që kanë bërë plaçkë me pasurinë e vendit. E ky fakt nuk premton asgjë të mirë për të ardhmen.
Top Channel