Andrea Stefani – “Ne përpara, ndërsa ai mbrapa”! – ishte ironia më e
fundit publike e Sali Berishës me liderin e opozitës Edi Rama.
Kryeministri kërkonte të thoshte që ai po përpiqet ta çojë përpara
Shqipërinë drejt Europës, ndërsa lideri i opozitës përpiqet ta pengojë.
Por tej këtyre mashtrimeve folkloriko-vulgare e vërteta që shpaloset nga analiza e vëzhgimeve të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare është krejt ndryshe. Sot Kryeministri që gënjen sa herë hap gojën, ka hyrë në konflikt jo vetëm me Bankën Botërore për rritjen ekonomike, por edhe me Freedom House (FH) lidhur me shkallën e zhvillimit të lirisë në vend. Kjo e fundit sapo publikoi raportin e saj vjetor, ku Shqipëria figuron përsëri si një vend gjysmë i lirë. Por e keqja nuk mbaron vetëm këtu. Një shqyrtim i shpejtë i raporteve të FH në vitet e fundit të shpie në një konkluzion të çuditshëm: Liria në Shqipëri bën prapa ose ngec në vend, liria bllokohet sa herë që ngjitet në pushtet politikani i kohës së Murit të Berlinit, Sali Berisha. Por ajo që është më demaskuese për këtë demagog “demokrat”, që s’ka të nginjur me pushtet e pasuri, është fakti se kur në pushtet kanë qenë socialistët, pikërisht ata që ai i etiketonte si armiq të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, liria politike dhe të drejtat civile kanë përparuar! E si mund të gjejë ndryshe shpjegim ky “paradoks” përveçse me të vërtetën e thjeshtë se, sot, armiku i vërtetë i lirive, pra bllokuesi i vërtetë i integrimit europian të Shqipërisë, është Kryeministri Berisha dhe klani i tij i korruptuar në pushtet!
***
Të çosh Shqipërinë drejt Europës do të thotë të krijosh një mjedis politik, institucional dhe shoqëror të përshtatshëm për zhvillimin e lirive dhe të drejtave politike e civile. Një shqyrtim i raporteve të FH në vite fakton se qeveritë e Sali Berishës, që gafurret se partia e tij është ajo e lirive dhe të drejtave, kanë qenë më të padedikuarat për zhvillimin e këtyre lirive dhe të drejtave. Madje edhe më të padedikuara se socialistët ndaj lirisë. Ndaj në raport me liritë, Berisha del, ashtu siç në thelb është, më i kuq se “të kuqtë”. Po le t’u referohemi fakteve të servirura nga raportet e FH në dekadën e fundit. Dhe na rezulton që në vitin 2002, kur në pushtet ishte PS dhe “socialkomunisti” Fatos Nano, klasifikimi i Shqipërisë për të drejtat politike u përmirësua nga 4 në 3 (lexuesi duhet të dijë se në këtë klasifikim të FH, numri më i vogël tregon performancë më të mirë), ndërsa klasifikimi për liritë civile u përmirësua nga 5 në 4, në sajë të një progresi të ngadalshëm drejt stabilizimit dhe përmirësimit të zgjedhjeve parlamentare. Klasifikimi i lirisë në Shqipëri ishte 3.
Në vitin 2003, kur drejtonin po “socialkomunistët”, vërejmë se sipas raportit të Freedom House, klasifikimi i lirive civile në Shqipëri u përmirësua nga 4 në 3 si rrjedhojë e normalizimit pas konfliktit civil dhe dhunës së vitit 1997. Klasifikimi i lirisë edhe në këtë vit ishte po 3.
***
Kaq u arrit në Shqipëri për sa i takon zhvillimit të lirisë sa kohë që në pushtet ishin socialistët. Me treguesin e lirisë 3, sipas FH, vendi klasifikohet si pjesërisht i lirë. Dhe një shtet i tillë, po sipas FH, është ai “në të cilin ka një respekt të kufizuar për të drejtat politike dhe liritë civile. Shtetet pjesërisht të lira vuajnë vazhdimisht nga një mjedis korrupsioni, sundim i dobët i ligjit, konflikte etnike e fetare dhe një peizazh politik në të cilin, një parti ruan mbizotërimin pavarësisht një farë shkalle të pluralizmit”. Por a mund të pritej më shumë nga “socialkomunistët”? Ndryshe do të qe po të vinte në pushtet PD, partia e lirive dhe e të drejtave me kryedemokratin Berisha. Dhe më në fund, ajo erdhi në pushtet në vitin 2005. Shqiptarët prisnin që tashmë liritë dhe të drejtat të shpërthenin në lulëzim. Për çudi nuk ndodhi fare ashtu! Shqipëria vazhdoi të mbetej e mbërthyer në statusin e një shteti me liri të përgjysmuara. Treguesi i lirisë mbeti po 3. Vetëm në vitin 2007, dy vjet pas ardhjes së PD dhe Berishës në pushtet, Freedom House regjistron një tendencë ngjitjeje si rrjedhojë e rritjes së përpjekjeve për të luftuar korrupsionin. Kjo tendencë pozitive ishte rrjedhojë e mashtrimit propagandistik që Berisha bëri në vitet e para të pushtetit të tij të dytë, duke krijuar perceptimin se ai po luftonte korrupsionin. Shumë ndërkombëtarë, për një shkak ose një tjetër, ishin të prirur ta besonin një gjë të tillë pavarësisht logjikës së thjeshtë që këmbëngul se një autokrat që kërkon pushtet absolut, që nuk lejon krijimin e një gjyqësori të pavarur, nuk mund të jetë një aleat për luftën kundër korrupsionit. Gjithsesi treguesi i lirisë nuk shënoi ndonjë përparim si në vitin 2007 ashtu edhe në vitet që erdhën më pas. Madje në raportin e vitit 2012, Freedom House regjistron një tendencë përkeqësimi të lirive, për shkak të vrasjes së protestuesve opozitarë më 11 janar, për shkak të politizimit të mekanizmit elektoral në votimet bashkiake të majit, si dhe dështimin e gjykatës që të gjykojë paanshmërish një rast korrupsioni kundër një politikani të lartë të qeverisë. Më gjerësisht ky raport e përshkruan kështu gjendjen në Shqipëri. Fjala ishte për Ilir Metën. Gjithsesi treguesi i lirisë mbeti po 3, duke mos shënuar asnjë përparim. Habia është si nuk u përkeqësua pas vrasjes së protestuesve apo grabitjes së zgjedhjeve në Tiranë. Dhe liria ka ngecur në treguesin 3 edhe sot e kësaj dite. Raporti i FH për vitin 2013 e klasifikoi Shqipërinë si një vend me gjysmë liri, një minotaur që nuk mund të mos na bëjë të turpërohemi dhe alarmohemi kur fqinjët tanë si Serbia apo Mali i Zi, klasifikohen si vende të lira. Një shqetësim dhe turp që duhet të na bëjë të kuptojmë se bllokuesi i integrimit nuk është as opozita dhe as Edi Rama, por ai që ka bllokuar tash e tetë vjet me radhë zhvillimin e lirisë, Sali Berisha. Dhe me këtë politikan në krye të qeverisë apo edhe politikës, liria në Shqipëri do të bëjë veçse prapa. Përvoja e 20 viteve na bën të parathemi se me Berishën në pushtet, Shqipëria do të degradojë shumë shpejt nga një vend me liri të përgjysmuara, në një vend pa liri.
Top Channel