Nëse vendos të kërkosh për lajme të mira apo poztive në median shqiptare duhet të jesh i përgatitur. Jo se do lodhesh duke i numëruar, por sepse e kë të pamundur t’i gjesh. Me shumë përpjekje në shtypin e kësaj jave arritëm të konstatojmë disa shkrime që i konsiderojmë pozitive.
Barbaria që u lëshua në afresket shekullore të Onufrit dhe dorëzimi i shtetit përballë hajdutëve ka bërë që të reagojnë banorët e komunës Gjinar në Elbasan. Duke parë vlerat që mbartin afresket në kishat e asaj zone, banorët janë ofruar që të paguajnë vetë një roje për tu kujdesur për këto monumente kulture. Rreth 7600 banorët e zonës do të paguajnë nga 50 lekë në muaj. Ky veprim vjen pas deklaratës së Ministrit të Kulturës së shteti nuk është në gjendje të ruajë objekte të tilla 24 orë në ditë.
Braktisja e fëmijëve vazhdon të jetë një problem shqetësues për shoqërinë tonë. Por ka nga ata që vendosin të hapin dyert e shtëpisë për këtë kategori fëmijësh. E tillë është familja Dungaj nga Lezha. Mbrëmjen e 5 marsit të vitit 2012 në familjen e tyre kërkon strehë një nënë së bashku me foshnjën e saj. Familja rome i mikpriti, ndërsa në orët e para të mëngjesit nëna e re ishte larguar duke e braktisur fëmijën e saj. Mes vuajtjesh dhe varfëisë, kjo familje po e rrit me shumë dashuri Eraldon e vogël, bashkë me dy vajzat e tyre. Ata kanë vetëm një kërkesë, Eraldo i vogël të jetë fëmija i tyre edhe ligjërisht.
Një njeri i madh është ai që nuk dorëzohet kurrë, pavarësisht vështirësive. E tillë është edhe Eranda Alushi. 22-vjeçarja është studente në vitin e parë master në degën e psikologjisë. Me shumë punë ajo ia ka dalë të shkojë deri aty pavarësisht se sytë e saj nuk shohin dritë. Që në vogëli ajo vuan nga një kufizim i të shikuarit, por kjo nuk e ka mposhtur vullnetin e saj për të ecur përpara.
Ndërkohë lajmet pozitive apo që tregojnë sakrifica të mëdha në botë nuk mungojnë. Autizmi, sëmundja që po tronidt mbarë botë, duket se ka shërim. Në një studim disavjeçar të mjekëve dhe psikologëve në Amerikë u vendos në pikëpyetje mendimi se autizmi shoqëron të sëmurin gjatë gjithë jetës së tij. Mes 112 fëmijëve që u përfshinë në studim, në disa prej tyre u konstatua se me kalimin e viteve shërohen vetvetiu. Megjithatë sipas studiuesve nuk ka vend për eufori dhe se ende nuk dihen faktorët që ndikojnë në këtë shërim.
Dashuria e nënës për fëmijën është e pakushtëzuar. Një nënë 26-vjeçare në Angli vendosi të mos e ndërpresë shtatëzaninë e saj edhe pse mjekët e kishin paralajmëruar se fëmja ishte me aftësië të kufizuara rëndë. Këtë vendim ajo e mori pasi pa një eko tredimensionale ku djali i saj shfaqej duke buzëqeshur. Aryseja përse mjekët nuk ia rekomanduan nënës së re vazhdimin e shtatëzanisë ishte sepse fëmija kishte defekt formimi në tru. Foshnja vdiq vetëm 9 orë pas ardhjes në jetë.
Top Channel