Mali, avancon ushtria, tërhiqen rebelët

18/01/2013 21:10

Rebelët islamikë në Mali janë tërhequr nga dy qytete në qendër të vendit, pas sulmeve ajrore të aviacionit ushtarak francez, njoftojnë autoritetet.

Ushtria e vendit afrikan njoftoi më herët se kishte marrë nën kontroll Konën, qyteti që solli dhe ndërhyrjen e trupave franceze në konflikt.

Aktualisht kryetari i bashkisë së qytetit Diabali thotë se ushtarët kanë marrë nën kontroll të tërë perimetrin.

Ndërkohë, agjencia e OKB për refugjatët thotë se druhet se luftimet mund të detyrojnë mbi 700 mijë persona që të braktisin shtëpitë e tyre.

Rreth 150 mijë banorë janë larguar tashmë drejt vendeve fqinje, bën të ditur agjencia e lajmeve “Reuters” në edicionin e saj online.

Ajo citon UNHCR-në që thotë se 400 mijë të tjerë mund të largohen nga Mali, të ndjekur nga 300 mijë të zhvendosur të tjerë.

Ndërkohë, 100 trupat e para të një force afrikane u vendosën në kryeqytetin Bamako mbrëmjen e së enjtes për t’u ardhur në ndihmë forcave lokale.

Ushtarët nga Togo dhe Nigeria janë pjesë e një njësie luftarake të Afrikës Perëndimore që do të bashkohen me trupat vendase dhe ato franceze.

Nigeria thotë se do të rrisë numrin e trupave të saj në 1.200, ndërsa Franca deklaron se ka tashmë 1.800 trupa në Mali pasi ndërhyri fillimisht me sulmet ajrore për të ndalur avancimin e rebelëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA