Saif al-Islam Gaddafi, djali i ish-diktatorit libian, Muammar Gaddafi, u paraqit të premten në gjykatë për t’u përballur me akuzat që rëndojnë mbi të në vendin e tij, raportuan institucionet zyrtare.
Al-Islam është shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Gjykata e Hagës, e cila i ka kërkuar Libisë që ta ekstradojë, por autoritetet e vendit afrikan i kanë rezistuar deri tani kësaj kërkese.
Në Libi, 40-vjeçari rrezikon të dënohet me vdekje, nëse gjyqi ndaj tij do të shkojë deri në fund.
Aktualisht, al-Islam mbahet në një burg në qytetin verior të Zintanit, nën kushte të rrepta sigurie. Gjyqi ndaj tij po zhvillohet në të njëjtin qytet.
Deri tani, procesi gjyqësor ka njohur vonesa të shumta, në përcaktimin e autoritetit që do të ketë juridiksion për ta gjykuar dhe për gjetjen e një avokati mbrojtës brenda Libisë.
Al-Islam po gjykohet për tradhëti kombëtare, pas shitjes së informacioneve sekrete autoriteteve të huaja, duke vendosur në rrezik sovranitetin dhe interesat kombëtare libiane.
Top Channel