Rikthime të bujshme këtë merkato në Itali. Pas “Jo”-së së Preziosi-t për Immobile, Juventus ka vendosur të rikthejë sytë sërish nga Marco Borriello.
Sulmuesi i Genoa-s e njeh mirë ambientin dhe skemat e Conte-s, kështu që mund të jetë një përforcim i duhur për bardhezinjtë.
Operacioni duket shumë pranë përmbylljes. Marotta ka zgjedhur gjithashtu edhe pasardhësin e Buffon: është Mattia Perin. Portieri i Pescara-s mund të vijë në Torino në qershor. Portieri i talentuar është aktualisht i huazuar nga Genoa, por sytë nga ai i ka edhe Milan. Gjithsesi, kuqezinjtë duken më të tërhequr, pasi Sacchi i ka raportuar karakterin jo të mirë të djaloshit.
Në pritje të një goditjeje në minutën e fundit për një “super” lojtar, Juve mendon edhe për të tashmen, ndaj dhe është hedhur në sulm për të rikthyer Borriello-n. Gjatë sezonit të kaluar, sulmuesi i Genoa-s ishte deciziv për titullin e bardhezinjve, me 13 ndeshje të luajtura e 2 gola të shënuar.
Me Conte-n ka punuar mirë edhe në të kaluarën, teksa mund të preferohet para alternativave të tjera si Quagliarella dhe Matri.
Top Channel