Japoni, ish-kryeministri “tradhëtar”?

18/01/2013 21:45

Qeveria e Japonisë kritikoi ashpër qëndrimin e ish-kryeministrit Yukio Hatoyama për mosmarrëveshjet territoriale kino-japoneze, ndërsa ministri i Mbrojtjes shkoi deri atje sa të cilësonte ish-kreun e ekzekutivit si “tradhëtar”.

Gjatë katër ditëve të një turi personal në Kinë, Hatoyama deklaroi të mërkurën në Pekin se “qeveria japoneze pretendon se nuk ka asnjë mosmarrëveshje territoriale me vendet e tjera, por kjo duket qartë që nuk është e vërtetë”.

Deklaratat kundërshtojnë qëndrimin e qeverisë së drejtuar prej tij, e cila e konsideroi gjithmonë si pjesë përbërëse të Japonisë ishujt e diskutuar të Senkakut, në Detin e Kinës Lindore.

“Nëse deklaratat e Hatoymës kanë qenë të tilla sa që të përdoren politikisht nga Kina, jam i pakënaqur dhe fjala tradhëtor është e vetmja që më vjen në mendje”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Istunori Onodera.

Një tjetër veprim që ka ngjallur pakënaqësi kombëtare në Japoni është vizita e ish-kryeministrit në një memorial në Nanjing, që përkujton një masakër të ndodhur përpara Luftës së Dytë Botërore, në pushtimin e Kinës, ku forcat japoneze masakruan 300 mijë civilë.

Tokio zyrtare diskuton edhe sot vërtetësinë e kësaj masakre të ndodhur.

Përplasja e gjatë midis Kinës dhe Japonisë për sovranitetin e arkipelagut të Senkakut, të ndodhur në një pozion thuajse të barazlarguar nga dy superfuqitë aziatike, u intensifikua pasi Japonia bleu ishujt nga pronari i tyre i ligjshëm më parë gjatë vitit te shkuar.

Pekini e konsideron këtë mënyrë të fitimit të sovranitetit mbi territorin si ilegale dhe një “precedent të rrezikshëm” ndërkombëtar.

Gjatë dhjetorit, Kina parashtroi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara një shpjegim të detajuar të të gjithë pretendimeve të saj territoriale mbi territorin, bazuar mbi fakte historikë dhe gjeologjikë, që paraqesin Senkakun si një vazhdim të natyrshëm të territorit kinez.

Zona detare, e cila përbëhet nga grupi i ishujve “mikroskopikë”, ka fituar një rëndësi të veçantë pasi studimet e fundit treguan se në tokën nënujore ndodhen rezerva nafte dhe gazi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA