Funeral pas 130 vitesh për “banditin” irlandez

18/01/2013 00:00

Mes lotësh dhe duartrokitjesh u varros sipas të gjithë riteve kristiane, Ned Kelly, i njohur si banditi irlandezo-australian që 130 vite më parë vrau 3 policë.

Në rivarrimin e Kelly morën pjesë mbi 300 persona, kryesisht pasardhës të tij. Djali i një babai të dënuar nga forcat mbretërore, Ned iu kundërvu regjimit në Australi dhe në një përplasje me ta, vrau 3 prej tyre.

Ai u shpall në kërkim dhe pas disa muajsh u arrestua dhe u dënua me vdekje. Ekzekutimi me varje ndodhi kur ishte 25 vjeç.

Figura e tij ka përçarë prej vitesh Australinë. Ndërsa shumica anglo-australiane e cilëson si një vrasës gjakftohtë, irlandezo-australianët prej vitesh e quajnë një hero dhe simbol i rezistencës ndaj shtypjes anglo-australiane.

Varrimi i tij sipas të gjitha riteve katolike është kërkuar prej vitesh nga pasardhësit e tij, por u bë e mundur vetëm pas identifikimit nëpërmjet analizave të ADN-së të eshtrave të tij që u gjetën në një varr të përbashkët.

Top Channel