Droga dhe alkooli dëmtojnë shëndetin seksual me vite

18/01/2013 17:45

Përdoruesit e vazhdueshëm të drogës dhe alkoolit kanë shanse të shtuara të përballen me probleme të ndryshme seksuale, edhe vite pasi kanë ndërprerë konsumin, vërtetoi një studim shkencor i publikuar të premten.

Studimet e mëparshme sugjeronin se trupi mund të rikuperohej brenda disa javësh nga ndërprerja e substancave abuzuese.

Autorët e këtij studimi, të publikuar në “Journal of Sexual Medicine”, morën në vlerësim 906 meshkuj të moshave të ndryshme mbi 18-vjeç.

Midis tyre, 550 kishin pasur në të shkuarën një varësi nga alkooli, kokaina, heroina, marijuana, kombinimi heroinë-kokainë, kokainë-alkool ose thjesht nga alkooli. Secili prej tyre ishte shkëputur nga varësia prej disa vitesh.

356 pjesëmarrësit e tjerë në këtë studim nuk kishin konsumuar kurrë drogë apo alkool në sasira të mëdha.

Në vazhdim, Universiteti i Granadës në Spanjë dhe Santo Tomas në Kolumbi, vlerësuan disa të dhëna, si performanca seksuale, dëshira seksuale, kënaqësia seksuale, ereksioni dhe orgazma.

Përfundimet ishin të qarta dhe treguan se abuzuesit kishin një përqindje më të madhe të problemeve seksuale, por të natyrave të ndryshme.

Abuzuesit me alkoolin ishin midis kryesorëve që evidentonin probleme me impotencën, ndërsa përdoruesit e kokainës, heroinës e marjuanës evidentonin kryesisht probleme në arritjen e orgazmës.

Njëkohësisht, përdorimi i substancave narkotike apo alkoolit rrisin shanset për rënien në depresion dhe mjekimet kryesore anti-depresive, si barnat “Prozac”, “Seroxat”, “Sertraline” dhe familja e tyre, shkaktojnë përgjithësisht një rënie të dëshirës seksuale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA