Somali, vritet agjenti francez

17/01/2013 00:00

Grupi islamik somalez Al Shabab ka deklaruar se ka vrarë agjentin sekret francez Denis Allex, pas dështimit të operacionit të forcave speciale për ta liruar atë.

Lajmi raportohet në edicionin online të BBC. Edhe qeveria franceze e ka konfirmuar atë, duke mohuar deklaratat se Allex ishte vrarë gjatë operacionit të kryer javën e kaluar, ku humbën jetën edhe dy komando francezë.

Zoti Allex ishte rrëmbyer nga militantët në Somali në korrik të vitit 2009. Pengu francez mbahej në lokalitetin Bulo Marer nga grupi terrorist Al Shabab, 17 militantë të të cilit mbetën të vrarë gjatë blicit.

Lajmi për këtë operacion në lindje të Afrikës erdhi disa orë pasi Franca kishte njoftuar nisjen e ndërhyrjeve ushtarake në shtetin e Malit, për të mbështetur qeverinë në luftën kundër militantëve islamikë.

Mediat ndërkombëtare shkruanin se kishte gjasa që dy ngjarjet të ishin të lidhura me njëra-tjetrën, pasi autoritetet franceze e dinin që operacioni do kishte pasoja për 9 pengjet që mbahen në Afrikën e veriut.

Pas këtij operacioni, presidenti i Francës, François Hollande urdhëroi autoritetet që të rrisnin nivelin e sigurisë në të gjithë vendin, për shkak të rrezikut nga sulmet e militantëve islamikë.

Grupet militante të lidhura me Al Kaedën, Al Shabab apo Ansar Dine, premtuan “pasoja të rënda” për Parisin zyrtar, duke paralajmëruar sulme vetvrasëse në qytetet kryesore franceze. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB