Në Shqipëri aktualisht numërohen rreth 200 mijë persona me aftësi të kufizuara. Ligji normalisht parashikon që i punësuari i 25 në çdo kompani të jetë një individ me aftësi të kufizuara, por nuk ka nevojë për sondazhe për të kuptuar që realiteti nuk është konform ligjeve në fuqi.
Ndoshta në Shqipëri nuk ndodh, por ja që përtej detit situata duket më optimiste për këtë shtresë të shoqërisë. Ligjvënës, shkencëtarë, sportistë e deri edhe modele para e tetraplegjikë. Me siguri më i famshmi nga të gjithë është profesor Stefan Hawkings. Praktikisht asnjë pjesë e trupit të tij nuk i funksionon për shkak të sëmundjes së tij e quajtur Lou Gregh, por truri i tij plotësisht funksional e ka renditur mes personaliteteve më të spikatura botërore. Aktualisht kënaqësinë e leksioneve të tij e gëzon Universiteti i Kambrixhit.
Angela Rockwood bën një profesion aspak të zakontë për një person me aftësi të kufizuara. Ajo është një modele e suksesshme. Megjithëse nuk mund të sfilojë, ajo është shumë e njohur për fushatat e saj publicitare.
Por edhe presidenti i famshëm amerikan ishte në karrige me rrota gjatë periudhës kur trupat aleate fituan Luftën e Dytë Botërore. Franklin Roosvelt nuk e humbi aftësinë e tij për të udhëhequr edhe pse pa këmbët e veta.
Frank Gardner është një gazetar i njohur i rrjetit BBC. Kufizimi i tij nuk e ka kufizuar të jetë një nga autorët më të njohur për çështje të Lindjes së Mesme.
Meqë ne na pëlqen të krahasohemi për çështje financash me Gjermaninë herë pas here, ja ku është rasti për të thënë që mendja pas financave më të shëndosha në Europë është mbi një karrige me rrota. Që nga 1990 Wolfgang Schauble nuk mund të ecë, por nga paratë merr vesh mirë ama.
Pa qenë nevoja të përmendim faktin që për personat me aftësi të kufizuara zhvillohen olimpiada të mirëfillta, duhet përmendur sprintieri afrikano-jugor Oscar Pistorius. Pasi fitoi gjithçka që ishte për tu fituar në Lojërat Paraolimpike, synimi i tij i quajtur nga të gjithë një çmenduri u bë realitet. Ai ëndërroi për vite të tëra të merrte pjesë në Lojërat Olimpike dhe konkurrroi në “Londër 2012” në kategorinë 400 metra.
Pa u larguar shumë nga sporti ja ku vjen shembulli më i mirë që edhe pse i paralizuar nga mesi e poshtë forma fizike mund të ruhet më së miri. Një shembull inkurajues për të gjithë është Colt Wyym, badibuilder amerikan paraplegjik me famë botërore. Mbase mund të vraponi më shumë se ai, por me siguri nuk mund të bëni mundje dore.
Top Channel