
T’i japësh një pacienti me HIV ilaçe sapo të jetë diagnostikuar mund të jetë një veprim që mund të ketë sukses në të ardhmen. Kështu thonë një grup kërkuesish.
Aktualisht, terapia antivirale bëhet vetëm pasi sistemi imunitar është dëmtuar seriozisht nga infektimi.
Një studim i publikuar në “New England Journal of Medicine” tregon se një terapi 1-vjeçare e kryer menjëherë pas diagnostikimit ndihmon në ruajtjen e imunitetit dhe në mbajtjen e virusit nën kontroll.
Gjithashtu, studimi thotë se trajtimi i shpejtë mund të reduktojë edhe përhapjen e HIV-it, i cili mund të mos kthehet në “dënim me vdekje” për pacientët që marrin kurimin e duhur.
Kurimi bëhet kur qelizat-T CD4, që përbëjnë një pjesë të imunitetit, bien nën kuotën 350 qeliza për çdo milimetër kub gjak. Megjithatë, ka pasur edhe spekulime se nisja e mjekimit të pacientit sa më shpejt mund të ketë efekte më përfituese.
Studimi, i koduar me emrin “Spartaku”, përfshiu 366 pacientë nga tetë vende të botës. Disa pacientëve iu dhanë ilaçe për 12 javë rresht pasi u diagnostikuan, një grup tjetër për 48 javë dhe një grupi të tretë nuk iu dhanë ilaçe derisa arritën nivelin e 350 qelizave.
Profesori Johnathan Weber, nga Imperial College në Londër, tha se ata të regjimit 48-javor përfunduan me një nivel më të lartë të qelizave CD4 dhe një prani më të reduktuar të virusit. “Gjithashtu, përfitimet vijojnë edhe pasi mjekimi të ketë ndaluar”, shtoi ai.
Top Channel