Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u kërkoi strukturave drejtuese në të gjithë vendin të punojnë në qytetet e tyre jo vetëm për të rikonfirmuar një mandat tjetër qeverisës për Partinë Demokratike, por për të përsëritur në 23 qershor një fitore si ajo e 22 marsit ’92.
Megjithëse këto 2 data i ndajnë dy dekada, kryemninistri Berisha tha se ato ngjajnë si binjake, nëse krahasohen me shndërrimin në realitet të projekteve madhore të shqiptarëve, të cilat, sipas zotit Berisha lidhen të gjitha me historinë e Partisë Demokratike në qeverisjen e vendit dhe projektin e saj të Shqipërisë së zhvilluar europiane.
“Duhet të bëjmë gjithcka që më 23 qershor të realizojmë fitoren që presin shqiptarët. Rendja pas cdo vote është detyra dhe misioni i anëtarësisë sonë, votë e cila meritohet atëherë kur në mënyrën më të vendosur, më të njerëzishme, më reale, të kemi trokitur në cdo zemër dhe derë shqiptari”, tha Berisha.
Megjithë pasojat e krizës europiane në ekonominë shqiptare, kryeministri Berisha, beson se për shkak të reformave të ndërmarra nga qeveria e tij, tek ekonomia nuk qendron vështirësia, por baza për një fitore të zgjedhjeve të 23 qershorit.
“U them qytetarëve mos u ndikoni nga zemërligj apo injorantë. Të parët i tmerron cdo sukses i juaji, sepse në vështirësitë tuaja shohin mundësitë e karriges së tyre. Të dytët fali o Zot se nuk dinë cfarë thonë! Por fakti është se vendi ynë nuk ra në recesion për asnjë minutë, se me luftën kundër korrupsionit në këto 7 vite në kemi shpëtuar nga kthetrat e tij të zeza mbi 9 miliard usd në taksa, prokurime, shpenzime publike. Në këto 7 vite, shqiptarët njohën rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve se cdo vend tjetër në Europë dhe më gjërë”, vijoi kreu i mazhorancës.
Në zgjedhjet e ardhshme, kryeministrit Berisha beson se ka si aleatë të rinj edhe të gjithë ata shqiptarë që 4 vjet më parë votuan Partine Socialiste, por që sipas tij, janë zhgënjyer nga qendrimi bllokues i kreut të saj Edi Rama. Me të cilin, Sali Berisha thotë se ndryshon tek vlerat që secili përfaqëson.
“Çfarë ofrojnë si alternativë? ‘Fundërrina të të gjtha llojeve të bashkohemi kundër Sali Berishës!’ Kjo është thirrja e njeriut që ka humbur cdo shpresë, që për shtrojë dhe mbulojë ka disfatat e njëpasnjëshme. Ne do të shkojmë me vlera para cdo qytetari shqiptar. Vlerat, vlerat dhe vetëm vlerat! Le të bashkohen të gjitha fundërrinat. Ju jap fjalën e nderit në mënyrën më solemne, se i përgatitur me gjithë shpirt për fushatën më të bukur, për fundërrinat, vec Lanës, vend tjetër nuk mund të ketë”, deklaroi Berisha.
Top Channel