Bajerni i Mynihut ka vendosur që të presë me një dhuratë të madhe në merkato trajnerin e tij të ri, Josep Guardiolën.
Ditën e enjte, shtypi gjerman informoi se klubi ka nisur bisedime intensive me Santosin, për të siguruar kartonin e Neymarit.
Ndonëse 20-vjeçari, i konsideruar si futbollisti më i talentuar brazilian i momentit, ka thënë më parë se dëshiron të qëndrojë në atdhe deri pas Botërorit të 2014-s, interesi i fuqishëm i disa klubeve europianë bën që qëndrimi i tij në Brazil pas muajve të verës të bëhet pothuajse i pamundur.
Midis klubeve që vlerësojnë shumë Neymar është Barcelona, e cila ka ofruar 10 milionë euro për kartonin e tij, por Bajerni është i gatshëm të përmirësojë ndjeshëm këtë ofertë dhe ka edhe “kartën Guardiola”, që ka një marrëdhënie të ndërsjelltë simpatie me futbollistin.
Në të shkuarën, Guardiola ka pranuar hapur vlerësimin që ka për Neymar dhe tek Bajerni, duket se trajneri spanjoll mund t’i premtojë një vend titullari, të cilin në “Camp Nou” nuk mund ta ketë të garantuar.
Megjithatë, për momentin, mediat gjermane nuk janë në gjendje të thonë se çfarë shume mund të ofrojë Bajerni për brazilianin, mbi të gjitha pasi bavarezët janë në procesin e mbushjes së arkave, pas shpenzimit të 40 milionë eurove për të siguruar Javi Martinezin në merkaton e shkuar.
Top Channel