Avokat Arjani, juristi i verbër i Belshit

17/01/2013 18:20

Bashkia piktoreske e Belshit ka një arsye më shumë për të qenë interesante. Asistencën juridike në këtë bashki për të gjithë qytetarët e ofron një jurist i verbër.

Avokat Arjan Hysa është prej një viti në shërbim të qytetarëve me aftësitë e tij juridike. Që nga dita e parë gëzimi dhe përkushtimi vazhdon të mbetet i njëjtë.

“Është hera e parë që në administratë punon një person me aftësi të kufizuara. Për mua ka qenë diçka e shkëlqyer nisja e punës”, shprehet Arjani.

Të kalosh në duar shkresa, pikë së pari kërkon vëmendje. Përfytyroni pak se sa shumë vëmendje i duhet dikujt që ka humbur shikimin që në fëmijëri.

“Udhëhiqem nga optimizmi dhe këmbëngulja për të bërë më të mirën. Deri tani gjërat kanë ecur siç duhet edhe pse kam pasur probleme për shkak të mentalitetit në Shqipëri”, thekson Arjani.

Por, si gjykohet performanca e tij nga eprorët? Kryetari i Bashkisë është punëdhënësi i tij që ka marrë përsipër bastin e rrezikshëm të marrjes së dikujt me aftësi të kufizuara: “Unë shikoj se qytetarët janë të kënaqur nga Arjani dhe mendoj se nuk ka person më të përshtatshëm se ai për të zgjidhur problemet e personave me aftësi të kufizuara.”

Kryetari i Bashkisë, Asqeri Kuqja, dikur mjek i përgjithshëm në këtë zonë, e njeh prej vitesh Arjanin dhe ishte i sigurt për rezultatet që ai do të kishte: “Nuk e kisha fare të vështirë të vendosja Arjanin në zyrën juridike. Në fillim kishte skeptikë, por puna e tij tregoi të kundërtën.”

Por Arjani është edhe një bashkëshort i mirë për Siljanën që nga dita e njohjes aksidentale. Ata janë një çift i zakonshëm, ashtu ndihen dhe ashtu jetojnë edhe pse nuk duken. Siljana tregon: “Isha e sigurt se ishte i duhuri për mua. Për mua nuk ka asnjë të metë, mjafton që është i mirë në shpirt.”

Por megjithë predispozitën e tyre, ata i kanë provuar paragjykimet në vetën e parë, por dashuria triumfon: “Edhe pse njerëzit habiten, Arjani arrin të bëjë çdo gjë vetë. Madje unë e kam edhe ndihmë në shtëpi. Kemi një jetë shumë të mirë.”

Handikapi i avokat Arjanit nuk është i lindur, por një fatkeqësi dhe një shërbim mediokër shëndetësor.

“E humba aksidentalisht shikimin. Kur isha 2 vjeç, duke qëndruar pranë zjarrit, diçka shpërtheu nga oxhaku dhe më dëmtoi sytë”, shpjegon avokati.

Por, nga ka ardhur vokacioni për të ndjekur juridikun: “Seriali Oktapodi!”

Pa Korrado Katanin nuk do të kishim një nga juristët të diplomuar me notat më të mira nga Universiteti i Elbasanit. Dhe rezultatet e tij ishin të jashtëzakonshme që kur konkurroi në fakultet: “Kam konkurruar me kasetë. Më janë dhënë pyetjet, i kam regjistruar dhe i kam dhënë përgjigjet po me magnetofon. Kaseta ka shkuar tek komisioni më pas.”

Edhe pse një bashkëshort shembullor, nuk mund të themi që nuk ka difekte: “Jam xheloz për aq sa nuk prishet punë.”

Optimizëm, vullnet, dashuri dhe besim, në jetën e Arjanit ka vetëm pika të forta dhe një pishman. Megjthëse ai përpiqet të jetë një prind i jashtëzakonshëm për vajzën e tij të vogël dhe për djalin që pritet të lindë.

“U emocionova shumë, por pengu im më i madh është të mos shohësh fytyrën e fëmijës tim. E kam duruar me ndihmën e Zotit”, thotë Arjani.

Një jurist, një baba e bashkëshort, ju lutem mendojini ato syze si thjesht syze dielli dhe mbani mend emrin e avokat Arjan Hysës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA