Venezuelë, Maduro mban fjalimin e parë të 2013

16/01/2013 02:00

Zëvendës-presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka dhënë një deklaratë mbi gjendjen vjetore të kombit, në vend të Hugo Chavez-it, i cili është ende duke u rikuperuar në Kuba, pas operacionit kundër kancerit.

Në një fjalim të shkurtër përpara Asamblesë Kombëtare, Maduro i premtoi besnikëri presidentit dhe tha se Chavez mbetet në krye të vendit.

Maduro mohoi gjithashtu zërat se ka një luftë politike të brendshme për pasuesin e Chavez, teksa ky i fundit duhet të ishte betuar për mandatin e tij të katërt, më 10 janar. Gjykata Supreme vendosi se ai mund të betohet në një datë të mëvonshme, një vendim i kundërshtuar nga liderët opozitarë.

“Ka vetëm një president: Hugo Rafael Chavez Frias, komandanti suprem i ushtrisë, komandant i Revolucionit Bolivarian”, tha Maduro përpara ligjvënësve.

Gjatë fjalimit, ai shpalli gjithashtu emërimin e fundit të Chavez, i cili ka vendosur ish-zëvendës-presidentin, Elias Jaua, si ministrin e ri të Jashtëm të Venezuelës, një post i mbajtur më parë nga Maduro.

Maduro përshëndeti presidentin e Asamblesë Kombëtare, Diosdado Cabello, si dhe mohoi zërat se ata të dy janë rivalë politik. “Disa thonë se Cabello dhe unë jemi në luftë. Por, ne jemi të bashkuar në zemrat tona, në besnikërinë ndaj një njeriu, i cili është komandant suprem i vendit tonë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA