SHBA: Zgjedhje të lira e të ndershme

16/01/2013 00:00

Gjatë konferencës për shtyp që Philip Reeker dha gjatë qëndrimit në Bruksel, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit u pyet nga TCH në lidhje me pritshmëritë e SHBA-ve për zgjedhjet e qershorit në Shqipëri.

TCH : Fushata zgjedhore që ka nisur po shfaq sinjale të së kaluarës. Qeveria, partitë pjesmarrëse, institucionet do të përballen sërish me testin e demokracisë. Cilat janë pritshmëritë dhe a besoni se është dëgjuar siç duhet mesazhi që dha sekretarja Clinton në Tiranë nga ata që janë përgjegjës për ta kthyer demokracinë në një realitet?

Reeker: “Nëse nuk e kanë dëgjuar, ata mund ta shohin sërish, apo ta lexojnë sërish fjalimin e sekretares Clinton në Parlamentin e Tiranës, që u dha me të vërtetë para gjithë popullit shqiptar. Dhe ishte një mesazh mbështejeje, solidariteti, në emër të marrëdhënieve tona të gjata pozitive me Shqipërinë. Por është e vërtetë se ky vit është i rëndësishëm për Shqipërinë pasi do të ketë zgjedhje në qershor. Siç vërejtët, fushata zgjedhore ka nisur mirë, gjë që unë munda ta shoh edhe gjatë vizitës së fundit në Tiranë në muajin shtator.

Është e një rëndësie jetike, jo vetëm për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, siç u nënvizua edhe në konkluzionet e Këshillit dhe në raportin e progresit të Komisionit Europian, që Shqipëria të vijojë punën në një numër fushash dhe reformash për të konsoliduar demokracinë. Ishte zhgënjyese që nuk qenë të aftë të miratonin disa ligje dhe të ndërrmernin disa veprime që ishin përcaktuar për të marrë formalisht statusin kandidat.

Por mendoj se edhe më e rëndësishme për perspektivën europiane të Shqipërisë, madje edhe më thelbësore për vetë të ardhmen e Shqipërisë e të popullit të saj, është që këto zgjedhje të jenë të mira dhe duhet të jenë të lira dhe të ndershme. Ato duhen parë si zgjedhje të lira e të ndershme jo vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, por nga vetë populli shqiptar, nga qytetarët shqiptarë, për të cilët organizohen këto zgjedhje. Ata kanë nevojë që të kenë besim tek liderët e tyre e ky do të jetë një sinjal i rëndësishëm për të garantuar se zgjedhjet janë organizuar mirë, janë të lira e të ndershme dhe me standartet që pret çdokush në këtë moment të historisë së Shqipërisë.

Zgjedhjet shqiptare në qershor janë një shans i rëndësishëm për të dëshmuar se Shqipëria ka arritur një nivel tjetër, pasi zgjedhjet nuk kanë qenë një prej pikave të forta në historinë e vendit”.

Në pëgjigjen e gjatë në lidhje me Shqipërinë, Philip Reeker shprehu shqetësim të veçantë për retorikën nacionaliste e cila sipas tij tërheq vëmendjen dhe është e panevojshme.

Reeker: “Ndërkohë që po zhvillohet fushata zgjedhore, kemi qenë të shqetësuar nga shumë retorika nacionaliste, gjë që ne e konsiderojmë shqetësuese dhe të panevojshme. Kjo tërheq vëmendjen nga gjëra që janë me të vërtetë të rëndësishme. Në 100 vitet e kaluara, por edhe më herët, historia ka treguar se kjo lloj retorike nuk i ndihmon qytetarët për nevojat e tyre, nuk krijon vende pune, nuk çon përpara perspektivat ekonomike.

Është thjesht një hutim. Është sjellje populiste dhe shpesh shumë fatkeqe, prandaj mendoj se do të ishte me e mënçur që liderët të fokusohen se si mund ta çojnë vendin përpara, veçanërisht në rrugën europiane që ne e shohim të rëndësishme për Shqipërinë.

Shqipëria është anëtare e NATOs dhe ata kanë bërë shumë për të punuar në atë proces e për t’u bërë anëtarë të plotë të Aleancës në vitin 2009. Si të tillë, nga ata pritet që të zbatojnë një standart të caktuar si dhe që të punojnë për reformat që kanë përpara.

Në vend të hutimeve të rrezikshme mendoj se do të bënin mirë që të fokusohen tek gjërat që kanë me të vërtetë rëndësi për të ardhmen e Shqipërisë, veçanërisht tek ekonomia”.

Reeker ndodhej në Bruksel në vizitën e radhës në kuadër të bashkëpunimit dhe koordinmit të politikave të SHBA me BE-në për vendet e rajonit të Ballkanit.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB