Presidenca irlandeze e BE-së

16/01/2013 00:00

Kryeministri irlandez, Enda Kenny prezantoi në seancë plenare në Strasburg programin e presidencës së radhës të Bashkimit Evropian.

Megjithëse u përmend në fund të fjalimit, politika e zgjerimit do të jetë një prej fushave ku irlandezët premtojnë se do të fokusohen tek besueshmëria e këtij proçesi.

“Kjo presidencë do t’i japë gjithashtu prioritet një politike të besueshme zgjerimi. Ne presim që më 1 korrik t’i përgëzojmë si anëtar popullin kroat. Për ato vende që ndodhen në faza të ndryshmë të negociatave, ne do të punojmë për ta çuar përpara proçesin, si me Islandën, Turqinë dhe Malin e Zi. Vendime të rëndësishme mund të jenë gjithashtu të mundshme në lidhje me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Serbinë, Shqipërinë dhe Kosovën, gjatë mandatit të Irlandës”, deklaroi Kenny.

Disa nga prioritetet e presidencës irlandeze të BE-së në gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë punësimi, stabiliteti dhe rritja ekonomike, por edhe politika e jashtme dhe zgjerimi.

Përgatiti: Ernest Bunguri

Top Channel

DIGITALB DIGITALB