Ushria e Pakistanit ka akuzuar atë indiane për vrasjen e një prej ushtarëve të tyre, pas “të shtënave të paprovokuara” përreth kufirit të shumëdiskutuar të Kashmirit.
Në një deklaratë të ushtrisë bëhej e ditur se “thyerja e armëpushimit” ndodhi në Linjën e Kontrollit (LoC), në sektorët Hot Spring dhe Jandrot. India nuk është përgjigjur ende.
Tensionet janë rritur shumë, pas shkëmbimeve të të shtënave vdekjeprurëse përgjatë kufirit, javën e kaluar, në të cilën dy ushtarë indianë dhe 2 pakistanezë humbën jetën.
Dhuna i ka futur dy vendet fqinje, në krizën më të madhe të marrëdhënieve mes tyre, që prej sulmeve në Mumbai në 2008, për të cilën u fajësuan militantët me baza në Pakistan. Të dy palët mohojnë të kenë provokuar përplasjet e javës së kaluar.
Më herët gjatë së martës, kryeministri indian, Manmohan Singh, tha se vrasjet e ushtarëve indianë javën e kaluar, njërit prej të cilëve iu pre koka, ishin “të papranueshme”.
“Pas këtij akti barbar, nuk mund të ketë marrëveshje si zakonisht me Pakistanin”, tha ai. “Shpresoj që Pakistani ta kuptojë këtë. Shpresoj që Pakistani t’i çojë autorët e këtij krimi përballë drejtësisë”.
Top Channel