ANA (All Nippon Airways) ka ndaluar fluturimet e 17 avionëve të saj “Boeing 787”, pasi një prej tyre u detyrua të bënte një ulje emergjente, për shkak të problemeve me baterinë.
Fluturimi me numër “NH 692” parashikohej të udhëtonte nga Yamaguchi Ube drejt Haneda-s në Tokio, por u detyrua të ulej në Takamatsu, në perëndim të Japonisë. 137 pasagjerët në bord dhe ekuipazhi u evakuuan pa probleme, duke përdorur parashutat e emergjencës.
“Dreamliners” kanë patur së fundi një numër të madh problemesh, përfshi këtu plasaritjen e një dritareje të kabinës dhe një zjarr të shkaktuar nga elektriciteti. Për rrjedhojë, autoritetet japoneze dhe amerikane kanë nisur hetimet për këtë aeroplan.
Javën e kaluar, Administrata Federale e Aviacionit në SHBA nisi një rishikim të imtësishëm të dizajnit, prodhimit dhe montimit të “Dreamliner”.
Të martën, autoritetet japoneze thanë se do të niste një hetim, pas rrjedhjeve të njëpasnjëshme të karburantit në dy prej avionëve 787, që operojnë për linjën ajrore japoneze.
Më 8 janar, këta të fundit raportuan për një shpërthim zjarri jashtë avionit 787, menjëherë pasi ishte ulur në Boston. Nuk ka patur raportime për probleme me frenat.
“Nuk është normale për avionët e rinj, që të kenë të tilla probleme të vazhdueshme dhe të ndryshme”, tha Chris de Lavigne, i një kompanie nga Singapori. “Ka patur disa probleme në fillim edhe me “Airbus A380”. Shikoni se ku është sot, po fluturon me sukses dhe të gjithë ndihen të lumtur me të”.
Top Channel