Bluzat e bardha po qelben erë mëkati!

16/01/2013 00:00

ZHANETA TOMÇINI – Humbjet e jetës në spitalet e vendit tonë po kapin shifra alarmante, brenda një kohe të shkurtër.
Një vajzë 7-vjeçare, një djalë akoma më i vogël humb jetën në këmbim të
qepallave të syve, fëmijë që hyjnë në sallë për t’u kuruar e dalin që
atje me HIV-AIDS, dikush i shpall luftë kancerit me sodë buke, mund të
dëgjojmë ndonjë ditë për kurimin e diabetit me detergjent enësh,
pacientë që hyjnë në spital me këmbët e tyre, por kthehen me makinë
funerali.

Raste këto të zbuluara nga media, por në sa e sa të tjera si këto shënohet në kartelë “ora e vdekjes”, duke mbetur në heshtje e mbulohen nga pluhuri në arkiva apo më keq dhe zhduken. Festat që kaluam me trokitje gotash, me shashka pëlcitëse nën këmbë, fishekzjarrë shumëngjyrëshe e tek-tuk ndonjë karikator kallashi a pistolete (siç festojmë rëndom ne shqiptarët), sikur na larguan nga ky realitet i hidhur i ditëve të fundit të vitit që sapo lamë pas. Po ç’po ndodh me sigurinë e shëndetit tonë?

U bënë kohë që problematika e mungesës së medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore nuk zënë vendet e para në bisedat tona, as paratë e dhëna dorazi ku me dëshirë e ku me imponim, pasi humbja e jetës të pacientëve në spitale është shtuar tej mase, e nuk mund të mendojmë gjatë veçse të lutemi, Zot mos na ço në ato dyer! Po ç’bëhet me këto raste? Asnjëherë nuk paskërka qenë faji i një mjeku apo infermieri? Nuk është bërë asnjëherë asnjë shembull që të paktën ta kemi si pikë referimi? Gjithmonë pacienti qenka fajtor? Ngrihen e ulen grupe pune, rast pas rasti nga institucionet përgjegjëse, që ligji i ngarkon të mbrojnë jetën e pacientit, por gjithmonë faji mbetet jetim. Është e vërtetë që mjekësia nuk është shkencë ekzakte, ku jo gjithmonë 1+1 nuk bëjnë 2, por ky justifikim nuk mund të përdoret për çdo rast. Të gjithë sot janë më të zgjuar seç duhet, falë medias ku emisionet e studimet e ndryshme në lidhje me shëndetin, të publikuara në to, na bëjnë të kuptojmë se sa të thjeshta janë disa gjëra. Është e çuditshme dhe absurde! Një fëmijë humb jetën në spital për një gafë të personelit, e pas kësaj, familja duhet të përballet me tragjedinë absurde, më pas të shkojë çdo të diel në varreza për t’i kërkuar ndjesë një fëmije që dergjet nën dhe, pastaj fillon kalvari i gjyqeve pafund nga e hëna në të premte. Si përfundim, pasi humb çështjen në gjyq ndaj personelit mjekësor, të duhet të paguash edhe shpenzimet e gjyqit, si palë denoncuese e humbëse. Kështu me radhë pa mbaruar një rast nis një tjetër, e pastaj një tjetër…Mos ju duhet një “shkundje” e fuqishme këtyre që bluzat e bardha i kanë bërë pronë të tyren dhe i kanë tejmbushur me mëkate që s’ka prift, as kishë a xhami që i pastron? Them se institucionet përkatëse e kanë fuqinë që në mos të një ndryshimi rrënjësor, mund të bëjnë një përpjekje reale për ta pasur primare dhe prioritet jetën e pacientit. Mjekë të dashur, Ju keni të drejtën e plotë për menaxhimin e jetës sonë brenda dyerve të spitaleve, po nëse një ditë nuk ndiheni mirë, keni abuzuar me alkoolin, substanca të ndryshme narkotike, keni mungesë përqendrimi apo mungesë dëshire e humori për punë, është më e udhës ta bëni pushim e të rimerrni veten. Pacientët për ju janë thjesht shifra për analizat mujore e vjetore, po për ato që presin lajmin pas atyre dyerve ku ju duhet të jeni në perfeksion të plotë, ato janë jetë të pafajshme, të rritura me mund e dashuri ashtu siç rrisni e kuroni dhe ju fëmijët e familjen tuaj. Bota është portokall thonë, një ditë dhe ju do të jeni pacientë e mbase nuk do të presë puna deri në fluturimin e radhës për jashtë Shqipërisë, por do të dergjeni në të njëjtët shtretër ku mëkatuat pa mëshirë!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA