
Thellimi i krizës humanitare në Siri është duke rrezikuar gjithmonë e më shumë vendet e tjera të Lindjes së Mesme, informoi një raport i një agjensie humanitare ditën e hënë.
Më shumë se 600 mijë sirianë janë vendosur në kampe refugjatësh në vendet fqinje, ndërsa katër milionë të tjerë besohet të jenë zhvendosur nga shtëpitë e tyre brenda Sirisë, për t’iu larguar zonave më të nxehta të luftimeve.
Në një situatë të tillë, sirianët eksportojnë jo vetëm një rritje të kostos për mbrojtje dhe mbajtjen e refugjatëve në vendet kufitare, por njëkohësisht destabilizojnë të gjithë rajonin.
Në Liban, një vend me lidhje të forta historike me Sirinë, janë zhvilluar një seri luftimesh në zonat veriore, të cilat i kanë kushtuar jetën dhjetëra personave.
Shtimi i këtyre është lidhur edhe me kalimin e kufirit të një numri të dyshimtë personash, të lidhur drejtëpërsëdrejti me akte kriminale.
Ndërsa i lëshoi komunitetit ndërkombëtar një apel për të ndërhyrë në Siri, për të mirën e sirianëve dhe popujve të tjerë të Lindjes së Mesme, Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (KNSH), me qendër në SHBA, publikoi këtë të hënë një tjetër raport mbi gjendjen e të drejtave të njeriut brenda Sirisë, të konsideruar prej tij si dramatike.
Sipas KNSH-së, përdhunimi është duke u përdorur gjithmonë e më shumë si një armë lufte.
Në një vend me rrënjë të fuqishme islamike dhe konservatore, gjithmonë e më shumë gra dhe vajza po përdhunohen sistematikisht në sytë e familjarëve të tyre.
Nga të dhënat e KNSH-së, pas anketimeve në kampet e refugjatëve sirianë, një në katër renditën përdhunimin apo frikën e abuzimit seksual si kryesoren, në braktisjen e vendit të mbërthyer nga lufta civile që prej marsit 2011.
Si rrjedhojë e konfliktit, të paktën 60 mijë sirianë kanë humbur jetën deri tani, ndërsa mbi një milionë banorë janë të kërcënuar aktualisht nga uria dhe i ftohti.
Top Channel