SHBA reagojnë ashpër ndaj Izraelit

14/01/2013 00:00

Reagimi i ashpër i Uashingtonit ndaj aleatit të vjetër izraelit është vërtet diçka e rrallë.

Komentet e ministrit izraelit të Mbrojtjes, mbi propozimet e Sekretarit të Shtetit, John Kerry, për paqen me palestinezët, janë cilësuar “ofenduese” nga Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki, i kujtoi shtetit hebre mbështetjen që Amerika ka dhënë për sigurinë e tij, ndaj deklarata e Moshe Yaalon, se plani i paraqitur nga Kerry nuk vlente as sa letra ku ishte shkruar, është – sipas saj, – krejtësisht e pavend.

“Sekretari Kerry dhe ekipi i tij, përfshirë gjeneralin John Allen, kanë punuar ditë e natë për të promovuar arritjen e një paqeje të sigurt për Izraelin, pikërisht për shkak të shqetësimeve të thella të tij, sa i takon të ardhmes së këtij vendi. Të vesh në pikëpyetje arsyet e tij e të shtrembërosh propozimet e tij nuk është aspak, ajo çfarë presim nga Ministria e Mbrojtjes së një aleati të ngushtë”, tha Jen Psaki, zëdhënëse e Departamentit të Shtetit.

Yaloon citohet nga gazeta izraelite “Yediot Ahronot” të thotë se Kerry ka vepruar me një mahni dhe një entuziasëm profetik. “John Kerry, që erdhi te ne i vendosur në qëndrimin e tij, nuk më mëson dot mua asgjë për konfliktin me palestinezët”, mësohet te jetë shprehur ai.

Komentet e bëra gjatë bisedave private në Izrael dhe në Amerikë kanë tërhequr edhe kritikat e kryeministrit të shtetit hebre, Benjamin Netanyahu.

“Edhe atëherë kur kemi mosmarrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ato kanë të bëjnë me çështje të caktuara dhe nuk janë personale”, tha Benjamin Netanyahu.

Shefi i diplomacisë amerikane ka zhvilluar një sërë vizitash në Lindjen e Mesme këto muajt e fundit, në përpjekje për t’i dhënë shtysë bisedimeve izraelito-palestineze të paqes, të cilat rinisën në muajin Korrik, por që atëherë kanë dhënë shumë pak shenja progresi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB