OKB “fshikullon” Korenë e Veriut

14/01/2013 15:55

Komisionerja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, kërkoi një hetim ndërkombëtar mbi rastet e përsëritura të abuzimit të Koresë së Veriut ndaj qytetarëve të saj.

Në një deklaratë të rrallë adresuar Penianit, Pillay deklaroi të hënën se gjendja e respektimit të të drejtave të njeriut në shtetin e izoluar komunist është “ndër më të këqijat në botë”.

Sipas saj, nuk ka pasur asnjë lloj përmirësimi në këtë drejtim, pavarësisht ndryshimit të lidershipit në dhjetor 2011, kur lideri i mëparshëm, Kim Jong-il, u zëvendësua pas vdekjes nga i biri, Kim Jong-un.

Njëkohësisht, Pillay shprehu keqardhjen e saj që shtetet më të fuqishme të planetit janë përqendruar pothuajse eksluzivisht tek programi bërthamor i Koresë së Veriut, duke neglizhuar tërësisht problemet e përsëritura të mosrespektimit të të drejtave të njeriut.

”Ndërsa programi bërthamor koreanoverior ka një rëndësi të kuptueshme ndërkombëtare, nuk duhet të neglizhohet gjendja e vajtueshme e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut. Keqtrajtimi i shtetasve nga autoritetet është aq brutal dhe i gjithpërhapur, sa që ngrihet në një nivel të pakonceptueshëm për çdo shoqëri tjetër në botë”, deklaroi Pillay.

Komisionerja shtoi se janë të paktën 200 mijë personat të ngarkuar me punë të detyruar, në kampet e internimit në Korenë e Veriut.

Shumica e kësaj kategorie, janë të privuar edhe nga të drejtat më thelbësore, si ajo e strehimit apo shpesh, edhe e jetës.

Një vend me 25 milionë banorë, me përmasat e Greqisë, Korea e Veriut mbetet shteti më i izoluar i botës, ku shpenzimet marramendëse ushtarake bëjnë që të paktën tre milionë shtetas të jenë të kërcënuar direkt nga uria.

Top Channel