Prodhimi industrial në Europë pësoi një rënie të re, treguan të dhënat zyrtare të Institutit Europian të Statistikave, “Eurostat”.
Të dhënat i përkasin nëntorit 2012. Ky ishte muaji i tretë radhazi që prodhimi industrial në vendet anëtare të Bashkimit Europian goditet nga kriza, rënia e kërkesës dhe në shtete të caktuara, edhe nga rrjedhojat e masave të kursimit në buxhetet kombëtare.
Ndonëse vetëm 0,3%, rënia kundërshtoi pritshmëritë e ekspertëve për rikthimin e rritjes në nëntor. Në tërësi, në harkun e 12-muajve, prodhimi industrial ka rënë me 3,7%.
Konkretisht, midis vendeve anëtare, ishte Portugalia ajo që njohu goditjen më të fortë, me një rënie prej 3,4%, ndërsa prodhimi industrial spanjoll u tkurr me 2,5%.
Të dhënat e “Eurostat” kanë vetëm një element shpresëdhënës, atë të reduktimit të normës së rënies, shenjë se po afron fundi i një trajktore tepër të vështirë për industrinë europiane.
Top Channel