4 vite burg eurodeputetit austriak

14/01/2013 00:00

Ish-ministri i Brendshëm austriak dhe ish-eurodeputeti Ernst Strasser u dënua me 4 vite burgim pasi u gjet fajtor për akuzën e marrjes së rryshfetit.

Strasser, 56 vjeç, anëtar i partisë Popullore Austriake ishte njëri nga katër zyrtarët e lartë austriakë që u prangos pas skandalit të ashtuquajtur “para për ligjin” që shpërtheu në vitin 2011.

Ai dha dorëheqjen nga postet e tij pas një artikulli të publikuar nga gazeta britanike “Sunday Times” e cila e akuzonte se kishte pranuar para në këmbim të propozimit të amendamenteve ligjore në Parlamentin Europian.

Strasser u filmua në mënyrë të fshehtë nga një gazetar i “Sunday Times”, që më parë i ishte prezantuar si lobist. Gjatë bisedës me të, ish-eurodeputeti i kërkoi 100 mijë euro në vit në këmbim të ushtrimit të influencës së tij në miratimin e legjislacionit të Bashkimit Europian.

Hetuesja Alexandra Maruna tha se Strasser kishte shkaktuar një dëm të madh politikave të BE-së dhe për këtë meriton të ndëshkohet. Në fund të procesit, gjyqtari njohu fajtor ish-zyrtarin e lartë austriak dhe europian dhe e dënoi atë me 4 vite burgim.

Ernst Strasser ka shërbyer si Ministër i Brendshëm austriak nga viti 2000 deri në 2004. Në 2009 u zgjodh eurodeputet, post që e mbajti deri në plasjen e skandalit kur dha dorëheqjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB