Mbështetësit e Hosni Mubarakut e pritën me brohorima vendimin e një gjykate në Kajro, për rishqyrtimin e çështjes së ish-presidentit egjiptian, të dënuar me burgim të përjetshëm.
“Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e apelit të paraqitur nga mbrojtja dhe urdhëron rigjykim, por ai sërish do të mbështetet mbi provat ekzistuese dhe nuk do të shtohen të reja”, thuhej në vendim, pas leximit të të cilit në sallë nisën brohoritje.
Mubaraku 84-vjeçar u rrëzua nga pushteti në 2011-n, pas protestave masive në Kajro dhe qytete të tjera të vendit, dhe në muajin qershor u burgos.
Bashkë me ish-ministrin e Brendshëm, Habib al Adly, ata akuzohen për vdekjet e protestuesve të vrarë nga forcat e rendit, gjatë fushatës së egër për shtypjen e rebelimit.
Mubaraku, që vazhdon të mbetet në burg, do të rigjykohet gjithashtu edhe për korrupsion, ndonëse u shpall i pafajshëm për këtë akuzë, në muajin qershor.
Njeriu, që drejtoi Egjiptin për gati 30 vjet, i kishte shpëtuar 6 përpjekjeve për vrasje përpara shpërthimit të revoltës kundër sundimit të tij.
Vendimi i gjykatës u prit nga mbështetësit e tij me thirrjet “rroftë drejtësia” dhe “ne të duam presidenti ynë”.
Mubarak dhe Adly rrezikuan dënimin me vdekje për jetët e humbura të 850 protestuesve. Familjet e viktimave nuk e fsheshin zhgënjimin nga fakti, që ish-kreu i shtetit nuk u dënua për urdhërimin e këtyre vrasjeve.
Top Channel