PD sulmon Ramën për pallatin

13/01/2013 19:35

Partia Demokratike u shfaq e shqetësuar për atë, që e cilësoi si mungesë të standardit më minimal të transparencës nga kreu i opozitës, Edi Rama, për pyetjet rreth pasurisë së bashkëshortes së tij dhe vendimeve të zotit Rama, si kryetar bashkie, në ngritjen e një ndërtese në pronësi të familjarëve të zonjës Rama.

“Partia Demokratike pyet edhe njëherë zotin Rama: Sa projekte ka ndarë zonja Lindita Basha me Kosta Barjabën gjatë viteve të bashkëpunimit të ngushtë të tyre. A keni qenë ju në konflikt interesi, në rastin e lëshimit të dy lejeve të ndërtimit, për këtë pallat të bashkëshortes suaj dhe familjarëve të saj? Pse nuk është deklaruar as sot origjina e 100 milionë lekë kredi pa interes, që gruaja juaj Linda Basha ka dhënë apo marrë? Partia Demokratike të rikujton edhe njëherë zoti Rama, se përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve dhe çdo pyetjeje tjetër, që ka të bëjë me historinë pallatit pajë, kredisë pa interes dhe lidhjet financiare familjare me xhepistin Barjaba, kanë të bëjnë me standardin më minimal të transparencës së domosdoshme për çdo person publik”, tha Laura Vorpsi.

Ndërkohë, Bashkia e Tiranës, një javë pas denoncimeve të përditshme të Partisë Demokratike, për çështjen e ndërtesës në pronësi të familjarëve të zonjës Linda Rama, deklaroi se ka dërguar në prokurori dosjen përkatëse.

Sipas Bashkisë së Tiranës, leja e ndërtimit në 2006-n dhe vendimi i KRT-së për të ndryshuar projektin e ndërtimit, me zgjerimin e tij në një vend të përcaktuar më parë si lulishte, është në kundërshtim me ligjin e urbanistikës.

“Sheshi mbi të cilin është dhënë leja e ndërtimit për këtë pallat më datë 21/03/2006 ka qenë i përcaktuar në studimet e miratuara “hapësirë publike në funksion të bllokut të banimit”. Pra, leja për ndërtimin e pallatit është dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin”, theksoi zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha.

“Për rastet e pronave të kthyera nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, kur këto prona gjenden në hapësira të tilla, KRT-të nuk kanë të drejtë të ndryshojnë drejtimin e vendosur nga studimi. Në këto raste, pronarët kanë të drejtë të kërkojnë kompensimin sipas ligjit”, shtohet në deklaratë.

“Si leja e ndërtimit më 21/03/2006 dhe ajo e rishikuar më 27/12/2008 janë bërë në kundërshtim të hapur me ligjin numër 8405 për urbanistikën. Në këto kushte, Bashkia e Tiranës ia ka referuar të gjitha materialet Prokurorisë së Tiranës”, mbylli deklaratën e saj Bashkia e Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA