Deputeti socialist Erjon Braçe në faqen e tij në Facebook akuzon direkt kryeministrin Berisha se është përfshirë në mbrojtjen e ish-ministrit të Jashtëm të Perusë. Madje sipas Braçes kryeministri Berisha e ka strehuar, e ka mbrojtur, e ka pritur e ka mbështetur dhe i ka ngritur dy biznese, dy hapa larg selisë së qeverisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Më 28 Korrik 2012 , ish-ministri i Jashtëm i Perusë, i kërkuar nga Interpoli ka krijuar në Tiranë kompaninë e tij ‘Apollonia Investments’, ku Miller zotëron 80 % të aksioneve”, shkruan Braçe.

Po sipas deputetit socialist fusha e investimit të Manuel Augusto Blacker Miller lidhet me ngritjen e një impianti për djegien e mbetjeve në hyrje të qytetit të Fierit, të prezantuar në qeverinë e Sali Berishës, Ministrinë e Mjedisit, Bashkinë e Fierit. Braçe më tej sqaron se ndërtimi i impiantit është penguar nga rezistenca e këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të Fierit dhe nga deputetët socialistë në atë qark.

Pas deklarimeve të deputetit Braçe reagoi këshilltarja e kryeministrit, zonja Suzana Guxholli e cila thotë se “Kompania në fjalë në mënyrën më këmbëngulëse dhe të përsëritur është rekomanduar nga Kryetari socialist i Bashkisë së Fierit, zoti Baftjar Zeqo, jo me një, por me disa letra drejtuar kryeministrit, por dhe me mesazhe sms”, thotë zonja Guxholli.

Më tej ajo sqaron se nëpërmjet letrave dhe mesazheve këmbëngulëse të vazhdueshme Kryetari socialist i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo i kërkon kryeministrit mbështetje për projektin e kësaj kompanie. Në këtë kuadër, pas kërkesës së drejtuar kryeministrit nga zoti Baftjar Zeqo dhe përfaqësues të kësaj kompanie, përfaqësues të saj janë pritur në takim nga këshilltarja e kryeministrit për çështjet ekonomike, Suzana Guxholli.

Pas këtij reagimi të zonjës Guxholli, deputeti Braçe përsëri nëpërmjet Facebook, shkruan se “Administrata Berishës i ka garantuar këtij të kërkuari ngritjen e biznesit dhe regjistrimin e tij pa asnjë pengesë pavarësisht se ai është në kërkim ndërkombëtar.

“Dy ministri të Qeverisë që ti drejton, Mjedisi e Ndërtimi i kanë miratuar projektin e biznesit, ti personalisht ndryshon dhe ligjin në favor të biznesit të tij duke krijuar mundësinë që ai të pastrojë paratë e pista të pushtetit ku ka qenë pjesë, ndaj përgjegjësia jote është e shumëfishtë”, akuzon Braçe.

“Dua të të them shkoqur se nuk më komplekson hiç kur më përmend kryetarin e Bashkisë Fier. Ne nuk jemi partia jote Kryeminister! S’jemi as rresht e as ombrellë për veprimet jo parimore e të dëmshme të cilitdo. Përgjegjësia është individuale dhe secili përgjigjet për veprimet që kryen”, shprehet Braçe në fund të deklaratës nëpërmjet Facebook.

Sqarimi i Bashkisë së Fierit

Me anë të një deklarate për shtyp Bashkia e Fierit sqaron se kompania “Apollonia Investments”, drejtuar nga  shtetasi Manuel Augusto Blacker Miller, regjistruar në Shqipëri, është paraqitur tri muaj më parë në Bashkinë Fier me ekstrakt të QKR për një projekt mbi ndërtimin e një  impianti të përpunimit të mbetjeve urbane.

Ky projekt iu prezantua ekzekutivit dhe Këshillit të Bashkisë dhe gjatë kohës që vazhdonin negociatat, Bashkia Fier e rekomandoi kompaninë në fjalë që të pajisej me lejen e qeverisë shqiptare, ashtu sikurse ligji e parashikon.

“Bëjmë me dije se projekti që i është paraqitur ekzekutivit të Bashkisë Fier është paraqitur po ashtu edhe në ministritë përkatëse si dhe kryeministri. Bashkia Fier, si një ndër njësitë vendore me transparencë të plotë me qytetarin dhe në kërkim të investimeve serioze për qytetin ka mirëpritur të gjitha kompanitë e interesuara për të investuar në Fier”, thuhet në komunikatën e Bashkisë së Fierit.

Top Channel