PS: Asnjë shpjegim për të ardhurat e Argitës

12/01/2013 00:00

Deputeti socialist Taulant Balla akuzoi Kryeministrin se reagoi me një
heshtje hermetike ndaj fakteve që u prezantuan publikisht për të
ardhurat e vajzës së tij, qoftë në mësimdhënie, qoftë edhe nga Zyra
Juridike, e cila sipas Ballës ishte shndërruar në zgjatim privat të
zyrës së Kryeministrit të vendit.

“Përpara se të bëhej vetëm mësuese, kjo zonjë siguronte përfitimet, nëpërmjet studios ligjore, studio që takson bizneset me tarifa tepër të majme, 200 Euro në orë, ndërsa njëkohësisht kërkonte edhe përqindje të investimit në cdo projekt të realizuar të investitorëve të huaj, projekte që miratohen vetëm nga firma e babit Sali. Për ta bërë këtë Argita ka përdorur edhe struktura të shtetit, madje edhe edhe ambasadorë të Republikës së Shqipërisë, të cilët e reklamojnë Argitën nëpër botë si një person me lidhje të forta.

Bashkëshorti i zonjës vajzë të Kryeministrit, Jamarbër Malltezi është gjithashtu një mësues i superpaguar, me 70 milionë lekë në vit të ardhura nga mësuesia.I biri i Kryeministrit Shkëlzen Berisha, deklaron se ka fituar mbi 490 milionë lekë vetëm nga “aktiviteti me pasuritë e paluajtshme.” Ndërkohë, në një vit ai ka depozituar nëpër llogari bankare gati 100 mijë Euro më shumë nga sa kanë qenë të ardhurat e tij në atë vit.

Të tjerë të afërm të Kryeministrit dhe bashkëshortes së tij rezultojnë të jenë multi-miliarderë, me të ardhura nga cdo fushë e mundshme. Dhe në fund Sali Babai, i cili në deklaratën e tij të pasurisë shton 10 milionësha me dorë si pare xhepi”, u shpreh Balla.

Top Channel