“Protestuesit” janë kujdestarë konviktesh

12/01/2013 00:00

Një incident ndodhi dje në zonën e Rrugës së Elbasanit, pranë ambasadës
amerikane, ku disa qytetarë protestuan para mediave televizive për
bllokimin e hapësirave të gjelbra nga pallati i ndërtuar aty, që sipas
PD-së është i bashkëshortes së kryetarit të PS-së, Edi Rama, por i
përgënjeshtruar nga pronari i ndërtesës.

Një grup personash kanë dalë dje para televizioneve duke shprehur indinjatën për ndërtimin e kësaj godine, pasi sipas tyre, ishte prishur lulishtja. Por banorët e lagjes kanë kundërshtuar “protestuesit”, duke i kërkuar të largohen, pasi nuk thonin të vërtetën dhe po i binin në qafë pronarëve të ligjshëm.

Në fakt, qytetarët që bënë “protestën”, nuk ishin fare banorë të bllokut, madje as të lagjes, por kujdestarë të Qytetit Studenti, pra nëpunës të administratës, banorë në lagje të tjera, madje edhe njerëz me lidhje të afërta me Kryeministrin, familjen e tij, dhe persona të afërt me pushtetin. Siç mësohet, protestuesit e djeshëm ishin Ardian Tepelena, kujdestar i godinës numër 1 të Qytetit Studenti, banor te Komuna e Parisit; Hasime Lauka, kujdestare e godinës numër 5, kushërirë e Kryeministrit Sali Berisha (vajza e xhaxhait), banuese te godina 15; Mirsie Palaj, kujdestare e godinës numër 11 të Qytetit Studenti, kushërirë e bashkëshortes së Kryeministrit, banuese te Shkolla e Bashkuar; Orjola Dervishi, familjare e drejtorit të ndërmarrjes së trajtimit të studentëve, banuese e zonës së Brrakës; Urim Shemlika, kujdestar i godinës numër 4, banues në zonën e “Ali Demit”; Luljeta Demiraj, kujdestare e godinës numër 3, familjare e kryetarit të PD-së së njësisë bashkiake numër 2 Avdi Mata, banuese te depoja e Ujit.

Dje, mediat u lajmëruan nga Partia Demokratike se do të kishte një protestë pranë asaj që PD e quan pallati i Linda Bashës, gruas së kryetarit të PS-së. Kur kamerat mbërritën aty, panë një grup prej rreth dhjetë vetash, që do mbanin një deklaratë për mediat. Por ndërsa njëri po mbante fjalimin e tij, ndërhyri një banor i lagjes, duke i kërkuar të mos fliste, pasi nuk ishte banor i lagjes. Pak më vonë, PD nisi një tjetër deklaratë për shtyp, ku theksonte se banorët e lagjes protestuan kundër pallatit të Linda Bashës. Zëdhënësja e PD-së doli e tha se Rama po pengon qytetarët që të protestojnë.

Deklarata

Pas mbërritjes së televizioneve në vendin e ngjarjes, personat e mbledhur protestuan publikisht. “Është një objekt i ndërtuar në një lulishte, që ka shërbyer për banorët dhe fëmijët. Mesa dimë, leja nuk është zbardhur akoma, unë mendoj që lulishtja t’i kthehet banorëve”, thotë një prej personave.

Edhe një qytetar tjetër shfaqi shqetësim për ndërtesën, por ndërsa ai fliste, disa banorë të tjerë ndërhynë, duke treguar se vendi ku ishte ngritur ndërtesa ishte pronë e familjes Basha. Në vendngjarje mbërriti pak më vonë edhe xhaxhai i Linda Bashës, i cili shpjegoi sesi godina ishte ngritur në atë vend.

Njerëzit e mbledhur janë larguar menjëherë, por në orët e darkës, filluan të mësohen identitetet e “protestuesve” që nuk ishin gjë tjetër por pjesëtarë të administratës shtetërore, përkatësisht ndërmarrjes së trajtimit të Qytetit Studenti. Partia Demokratike ka dalë sërish në konferencë për shtyp, ka reaguar duke kërkuar transparencë për paratë që janë siguruar për të ndërtuar godinën. Gazeta “Shqip” kontaktoi me pronarin e ndërtesës, Hasan Basha, më saktë me një nga pronarët, të cilit i mori një intervistë për të shpjeguar historikun e ndërtimit të pallatit dhe lidhjet e tij me bashkëshorten e kreut të Partisë Socialiste.

Gazeta “Shqip”

Top Channel