Bashkia e Tiranës nisi punimet për urbanizimin e bllokut të banimit nr.53 në Minibashkinë numër 9.
Rikonstruksionet në këtë bllok banimi përfshijnë asfaltimin e rrugëve, rinovimin e sinjalistikës rrugore dhe vendosjen sistemit të ndriçimit.
Investimet në këtë zonë Kryetari Basha i quajti një premtim të mbajtur e në të njëjtën kohë akuzoi socialistët se diskriminuan e lanë pas dore qëllimisht disa pjesë të kryeqytetit.
“Në këtë zonë jemi për të përmbushur një premtim të shndërruar në një projekt në buxhetin e vitit 2012, projekt që nis të zbatohet sot dhe do të përfundojë në jo më shumë se 6 muaj. Ky është projekti i urbanizimit të këtij blloku me afro 3 mijë banorë, nëpërmjet shtrimit të të gjitha rrugëve të bllokut, pajisjes me sinjalistikë dhe ndricim. Ne nuk bëjmë gjë tjetër vecse avancojmë standardin e një cilësie të lartë jetese sepse ky standard s’mund të ekzistojë nëse është i përqendruar vetëm në qendër, vetëm në bllok, apo vetëm rreth shtëpisë së kryetarit apo ish-kryetarit”, tha zoti Basha.
Kryetari Basha tha se investimi në këtë bllok banimi kap shifrën e 18.4 milion lekëve dhe do të përfundojë në harkun kohor të 6 muajve.
Top Channel