Impianti me djegie që ndau Fierin

12/01/2013 00:00

Ish-ministri i Jashtëm peruan, Augusto Blacker Miller është një ndër investitorët për ndërtimin e inçeneratorit në qytetin e Fierit. Ky projekt i mbështetur nga qeveria shqiptare, prefektura e Fierit dhe kryetari i Bashkisë së Fierit, ka qenë një temë e nxehtë e debatit në këtë qytet dhe prej disa muajsh ndodhet në axhendën e Këshillit Bashkiak, pa mundur të miratohet për shkak të kundërshtimit të këshilltarëve të majtë.

1)    Por a duhet të ndërtohet një inçenerator dhe çfarë parashikon plani lokal i menaxhimit të mbetjeve në Fier i hartuar edhe me mbështetjen e ekspertëve të Bankës Botërore?

2)    A i kemi përmbushur të gjitha fazat e kërkuara nga ligji për menaxhimin e mbetjeve ku kërkohet mbledhje e diferencuar e mbetjeve, riciklim, kompostim, landfill e më  pas trajtim me përfitim energjie?

3)    Sa i rrëzikshëm dhe a ka Shqipëria kaq shumë mbetje të cilat duhet të digjen në inçenerator për prodhim energjie në mënyrë që të justifikojë një investim prej miliona eurosh?

Në planin lokal të menaxhimit të mbetjeve të Fierit thuhet se është domosdoshmëri ngritja e një landfilli, ndërsa në nivel kombëtar duhet të ndërtohen 6 të tillë me kapacitet 120 mijë ton në vit.

Fillimisht, sipas përllogaritje të Bashkisë së Fierit do të ishte më e favorshme që të ngrihej një landfill rajonal për mbetjet e këtij qarku. Vetë Fieri pritet të reduktojë në mënyrë progresive sasinë e mbejteve përmes riciklimit apo kompostimit të mbetjeve.

Ndërkaq po Bashkia e Fierit ka argumentuar se nevojitet të ngrihet një inçenerator, pra jo një impiant me groposje, por një impiant me djegie, që kërkon rreth 10000 tonë metrikë mbetje urbane në muaj.

Sipas Bashkisë së Fierit nuk ka nevojë për ngritjen e landfillit sepse nuk ka mbetje të mjaftueshme, por për impiantin me djegie, që ka nevojë për sasi të mëdha mbetjesh ka argumentuar të kundërtën, duke e cilësuar si domosdoshmëri.

Projekti i Bashkisë së Fierit për ngritjen e një inçeneratori në hyrje të qytetit parashikon që ky truall t’i jepet me konçesion për 20 vite shoqërisë “Apollonia Investments Shpk” e cila do të investonte rreth 225 milion dollarë për ndërtimin dhe instalimin e impantit me djegie.

Por në vetë planin lokal për menaxhimin e mbetjeve thuhet se ngritja e inçeneratorëve kanë një kosto shumë të lartë për vendet në zhvillim. Proçesi është kompleks, kërkon personel të kualifikuar dhe çfarë është më e rëndësishmja burime të qëndrueshme financiare, pasi një dështim gjatë operimit mund të shkaktojë ndotje të mjedisit dhe pasoja në shëndetin e njerëzve.

Në këtë plan thuhet qartë se në rastin e inçeneratorit emëtimet në ajër, ujë dhe baltë duhet të depozitehen si lëndë të rrezikshme. Kompania ka paraqitur një projekt të djegieve të mbetjeve në temperaturë 20 mijë gradë Celsius, që sipas relacionin realizon zhbërjen e molekulave organike. Por specialistët e mjedisit dyshojnë se teknologjia që do të përdoret në këtë impiant mund të jetë e vjetëruar dhe nuk respekton kërkesat e BE-së.

Ky studim i Bashkisë së Fierit ka rezultuar se 65 % e mbetjeve përbëhen nga materiale të biodegradueshme, që do të thotë se në bazë të direktivës së BE-së mbi landfillet, kërkohet një devijim i sasisë së mbetjeve nga landfilli duke u fokusuar më shumë tek riciklimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB